Sherri mes Taylor Swift dhe ish të dashurit të saj Calvin Harris sa vjen e përkeqësohet, pasi së fundmi, këngëtarja ka konfirmuar se ka qenë ajo që ka shkruar këngën “This is what you came for”, bashkëpunimi super i suksesshëm i DJ-it skocez me Rihanna-n.
Dhe përveçse ka marrë autorësinë e këngës, përfaqësuesit e Swift gjithashtu kanë thënë se ka qenë pikërisht kjo këngë arsyeja e ndarjes së çiftit, pasi në një intervistë pas publikimit të këngës, Harris kishte thënë se ai nuk kishte ndërmend të bashkëpunonte me të dashurën e tij të atëhershme, e cila thuhet se e ka shkruar këngën nën pseudonimin Nils Sjöberg. Kjo gjë thuhet se e ka ofenduar artisten, duke çuar rrjedhimisht në ndarjen e tyre.
Këtë fakt nuk e ka mohuar as vetë DJ-i, i cili nëpërmjet një postimi në Twitter, i ka dhënë këngëtares meritat e saj për hitin muzikor. Mirëpo postimet e tij shpejt kanë marrë një kthesë tjetër, teksa artisti ka shkruar: “Unë bëra vijën muzikore, prodhova këngën, e arranxhova dhe futa vokalet. Dhe fillimisht ajo donte ta mbante sekret këtë, duke marrë parasysh pseudonimin. Më lëndon fakti që tani, ajo dhe ekipi i saj do të shkonin deri këtu për të më bërë mua të dukem i keqi.”
Harris ka vijuar më tej duke shkruar se ajo duhet të fokusohet tek lidhja e saj e re dhe e lumtur dhe ka përfshirë në këtë zënkë të hidhur edhe këngëtaren tjetër Katy Perry, për të cilën thuhet se Swift i ka dedikuar këngën “Bad Blood”, pasi Perry u lidh me John Mayer, me të cilin vetëm pak muaj më parë kishte qenë e lidhur Taylor.
“E di që je me pushime nga turi dhe të duhet dikush që ta varrosësh siç bëre me Katy-n etj., por unë nuk jam ky person, më vjen keq. Nuk kam për t’a lejuar,” ka shkruar Harris.





