Ka ndërruar jetë në spital gruaja e cila u shpëtoi jetën dy fëmijëve të saj, pasi një makinë i mori përpara në zonën e unazës së Tiranës, pranë Arkivës së Shtetit.
Një makinë ngjyrë gri përplasi gruan së bashku me dy fëmijët te kryqëzimi i rrugës “Jordan Misja” me unazën e Tiranës.
Pas aksidentit, gruaja u transportua në spital në gjendje të rëndë, por pas një ore fatkeqësisht ajo ka ndërruar jetë. Ndërsa për dy fëmijët raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i mjetit është larguar nga vendngjarja, ndërsa policia është vënë në ndjekje të tij. Makina e përfshirë në aksident ka qenë një "Mercedez-Benz" ngjyrë gri me targa AA 476 GL.
Automjeti i përfshirë në aksident është në pronësi të Dhimitër Oneas, 45 vjeç, nga Delvina, i cili është shpallur në kërkim, ndonëse nuk dihet me saktësi nëse ka qenë ai në drejtimin e automjetit gjatë aksidentit.





