Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një konferencë për mediat pas refuzimit që Partia Demokratike i bëri propozimit për reformën në drejtësi i Ndihmës-Sekretares Amerikane të Shtetit Viktoria Nuland.
Rama tha se nuk u gjend i befasuar përballë këtij refuzimi, pasi sipas tij, PD-ja i ka dhënë sinjalet përgjatë gjithë procesit në 1 vit e gjysmë se nuk e do reformën në drejtësi. Rama akuzoi PD-në se po tallet me partnerët strategjikë të Shqipërisë, pasi nuk i do të huajt nëpër këmbë.
“Me keqardhje më duhet të them se nuk më vjen i papritur refuzimi që PD i bëri sot propozimit më të fundit për kompromis mbi draftin për reformën në drejtësi. Propozim që këtë radhë e bëri në emër të SHBA dhe BE, Ndihmës/Sekretarja e Shtetit Viktoria Nuland. Nuk më vjen i papritur ky refuzim i radhës sepse përgjatë 1 viti e gjysmë të procesit të hartimit të draftit të reformës në drejtësi PD i ka dhënë me të gjitha mënyrat sinjalet që nuk e do reformën në drejtësi. E ka bojkotuar procesin fillimisht për një kohë të gjatë, ka hyrë dhe dalë në proces duke futur e nxjerrë letra pa lidhje vetëm për ta ngatërruar procesin, ka baltosur ekspertët e nivelit të lartë si ka mundur dhe sa ka mundur, ku ka mundur. Ka abuzuar pa pushim me opinionin e Komisionit të Venecias, duke u kapur fillimisht gjatë dimrit pas një paragrafi 55 dhe pastaj me pranverën pas një paragrafi 88, si i mbyturi pas fijes së barit. Është tallur me partnerët strategjikë të Shqipërisë duke u thënë se ka vetëm një hall, si të mos e kapë Edi Rama drejtësinë dhe ky hall zgjidhet me vendet e rezervuara.
PD nuk e ka pasur hallin te vendet e rezervuara, por ka rezerva për besueshmërinë, profesionalizmin dhe integritetin e partnerëve strategjikë të Shqipërisë. Nuk i do partnerët strategjikë të Shqipërisë apo të huajt nëpër këmbë sepse i friket paanshmërisë, profesionalizmit dhe besnikërisë së tyre ndaj ligjshmërisë në procesin e skanimit të pasurisë së tyre, vendimmarrjeve dhe aftësisë të gjykatësve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.
Shefi i qeverisë apeloi në fund kundërshtarin e tij politik Basha që të reflektojë, duke e ftuar të ulen sërish për gjetjen e një konsensusi
“U bëj apel të gjithë demokratëve nga selia qendrore deri në çdo qelizë të PD-së që të bëjnë diçka për të mos lejuar që e ardhmja e Shqipërisë të refuzohet nga frika e drejtësisë dhe Shqipëria të kthehet në një vend ku frika e të korruptuarve të marrin pushtetin në këtë udhëkryq dhe të sundojë udhëkryqin, duke hapur prapë një hendek të së shkuarës mes nesh dhe familjes evropiane”, deklaroi kryeministri.





