Aventura Europiane nuk u mbyll në mënyrën më të mirë për durrsakët, por duke parë emrat që skuara durrsake kishte përballë ekipit nga Kazakistani mund të justifikohet dhe rezultati i ndeshjes së dytë. Sipas disa prej protagonistëve të ndeshjes, rezultati u vendos nga gabimet e tyre, por dhe lodhja që ekipi kishte akumuluar gjatë udhëtimit, që e konfirmon dhe mesfushori Nijaz Lena. “U kthyem në Shqipëri me një rezultat jo të kënaqshëm, por ne u munduam dhe bëmë më të mirën tonë, Almati ka lojtarë të mëdhenj por dhe financa shumë më të larta se tonat. Ndikuan shumë faktorë si lodhja dhe mos përqëndrimi siç duhet dhe kur je i lodhur dhe gabon e ne gabuam në disa raste dhe pësuam. Kishim besim që do të bënim një ndeshje të bukur sic zhvilluam atë në Durrës por ja që nuk shkoi sic ne kishim pritshmëritë tona. Ndeshja e Durrësit ishte e interpretuar në mënyrën më të mirë, ajo në Alamati jo aq dhe siç e thashë më lart ndikuan shumë faktorë. Të udhëtosh pothuajse një ditë e të zhvillosh ndeshje është shkatërruese, me këtë nuk dua të justifikoj humbjen aspak, humbëm për gabimet tona, por mbi të gjitha i duhet njohur merita kundështarit, ekip i cili mund të shkojë larg në këtë kompeticion.” Lena flet dhe për kontratën e tij me Teutën e cila ka përfunduar pas kompeticionit të Europa League, dhe mesfushori shprehet se ai pret të flasë me drejtuesit e skuadrës e më pas do të vendosë se çfarë do të bëjë për të ardhmen. “Kontrata ime ka përfunduar me ndeshjen e Europoa League, por që do të bëj disa ditë pushim e më pas do të bisedoj me drejtuesit e Teutës për të vendosur rreth të ardhmes time tek durrsakët.  Kam disa oferta, por më parë duhet të bisedoj dhe do të bisedoj me presidentin e Teutës”,- ka pëfunduar mesfushori i Teutës Nijaz Lena, ish- vlonjati që u bashkua me Teutën në merkaton e janarit duke u bërë ndër lojtarët më të rëndësishëm të ekipit durrsak.