Kryeministri Edi Rama, në një prononcim për mediat, tha sot se shumica e qeverisë do të votojë një reformë në drejtësi që ka mbështetjen e plotë të SHBA-së dhe BE-së, duke konfirmuar se propozimi i ri nuk është asgjë më shumë sesa propozimi i fundit që kishte bërë Partia Demokratike për Vetingun.
“Kjo është një reformë historike dhe një rëndësi strategjike për të ardhmen. Nuk është reformë e një pale, por e një vendi që synon të bëhet anëtar i denjë i BE-së dhe s’mund të jetë kurrë një negociator i besueshëm në sytë e BE-së nëse nuk hedh themelet e një sistemi të ri drejtësie. I njoh shumë mirë ngjyrat dhe vija e kuqe nuk është bërë nga peneli im, por është përcaktuar nga SHBA-ja e BE-ja dhe që ka në esencën e vet procesin e Vetingut”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh i bindur se SHBA-ja dhe BE-ja nuk do të bëjnë asgjë që cenon thelbin e reformës. “Deri ditën e enjte zgjidhet çështja përfundimisht. Jemi në një mendje me SHBA-në. SHBA është pjesë e procesit me kërkesën tonë intensive. Ne jemi dakord me formulën e SHBA-së, por Partia Demokratike është e paqartë për qëndrimin e saj. Dhe unë po habitem pse PD nuk po thotë ‘PO’ e lumtur ”, u shpreh Rama.





