Edhe këtë vit, shqiptarët do të jenë populli më i diskriminuar në Europë sa i përket çmimeve të udhëtimit me avion, apo traget. Mund të zgjidhni cilën mënyrë udhëtimi të dëshironi, mund të zgjidhni vendin, datën, orën e kompaninë e fluturimit, por duhet të dini se sërish po udhëtoni më shtrenjtë se në çdo vend tjetër të Europës, por dhe rajonit. Nisja e sezonit turistik ka “ngjallur” lëvizjet në aeroport dhe portet e vendit dhe ky rast nuk mund të mos shfrytëzohet nga kompanitë e fluturimit apo ato të lundrimit. Prej ditësh, mësohet se çmimet e avionit dhe ato të trageteve, pavarësisht destinacionit kanë pësuar rritje skandaloze, madje deri në 3-fishim. E ndërkohë që qytetarët ngrenë zërin çdo ditë me denoncime në media, Facebook, e ku të munden, autoritetet shtetërore heshtin.

Asnjë kontroll, asnjë masë, asnjë penalizim. Vetëm një shtet kartoni do të ishte kaq indiferent ndaj qytetarëve të vet. Dhe ky yni s’është veçse i tillë. Nëse në të gjithë botën, në periudha fluksi çmimet bien, në Shqipëri ndodh gjithmonë e kundërta, përderisa nuk kemi institucione kontrolluese. Në fakt i kemi, por i kemi kot, janë thuajse inekzistente, totalisht jashtë funksioni. Qytetarët hasin gjatë gjithë vitit vështirësi dhe probleme të panumërta gjatë udhëtimeve me avion apo traget dhe megjithëse ankohen pa fund, ende nuk kemi parë një gjobë, një tërheqje vëmendjeje, apo larg qoftë një penalizim më të madh me heqje licence, prishje kontrate apo penalizime të tjera të kësaj kategorie. Rënia e shtetit ndihet dhe sot, në këto ditë të ngarkuara për portet dhe aeroportin e Rinasit, ku qytetarët janë përballur me çmimet stratosferike pa pritur e papandehur. 

Çmimet e fluturimit 

Çmimet e biletave për fluturimet nga Tirana drejt vendeve të tjera dhe anasjelltas, jo vetëm që nuk po njohin ulje, por dita ditës po prekin nivele rekord. Mjafton një klikim në internet për të parë sa shtrenjtë u kushton shqiptarëve apo të huajve, të fluturojnë drejt Tiranës. Sipas të dhënave online, të udhëtosh të shtunën nga Roma në Tiranë, vetëm vajtje të kushton rreth 500 euro ose siç është publikuar në ëeb, 633 dollarë ose 597 dollarë, në varësi të orarit më ekonomik. Por çfarë ndodh, të qëndrosh në të njëjtin destinacion nisje, nga Roma, por me destinacion tjetër mbërritje, Berlinin, çmimet kanë një ndryshim drastik. Çmimi i biletës është afro 110 euro, 5 herë më lirë se në drejtim të Tiranës. Skandali thellohet më tej pasi, nëse dëshiron të udhëtosh nga Roma në Tiranë, ditën e diel, në datën 10, mesatarisht bileta kushton për person 745,8 euro më shtrenjtë se një rrugë vajtje-ardhje Romë – New York, ku bileta mesatarisht kushton 671 euro për person. Edhe nëse mendon të rezervosh me përpara, për të udhëtuar fundjavën e ardhshme, sërish çmimet janë super të larta.

Të vish nga Roma në Tiranë fundjavën që vjen, vajtje-ardhje me ekonomik, kushton mesatarisht 654 dollarë afërsisht njëlloj si të shkosh në Kinë. Këto çmime të kripura bëjnë që të stepen jo vetëm shqiptarët emigrantë që duan të vijnë në vendin e tyre të kalojnë pushimet, por edhe për turistë të ndryshëm në botë, të cilët duan të përzgjedhin Shqipërinë në minutë të fundit për të kaluar pushimet. Çmimet e larta të biletave sipas përfaqësuesve të agjencive turistike, vijnë për shkak të aeroportit të vetëm që ka sot Shqipëria, i cili është kthyer në monopol, pavarësisht heqjes së ekskluzivitetit. Taksat e larta aeroportuale kanë bërë që asnjë kompani e mirëfilltë “low cost” të mos vijë në Shqipëri për të bërë që të përfitohen çmime më të ulëta biletash. Përqendrimi në pak duar i fatit të biletave po i kushton çdo ditë e më shumë xhepave të qytetarëve. Qeveria ndërhyri pak muaj më parë në marrëveshjen me Koncesionarin e Rinasit, por nuk arriti dot të ndërhyjë në problemin e çmimit të lartë të biletave, duke e lënë një problem të pazgjidhur.

Rriten dhe çmimet e trageteve 

Edhe kompanitë e lundrimit shohin fluturimet, sa i përket ngritjes së çmimeve. Qytetarët denoncojnë faktin se çmimet e trageteve këtë vit janë rritur deri në 3-fish. Kështu, nëse një qytetarët zgjidhte deri më tani të udhëtonte me traget, me kabinë, paguante një çmim bilete prej afro 30 euro për vete dhe rreth 55 euro për makinën. Ndërsa sot, për të njëjtin udhëtim, qytetarët duhet të paguajnë afro 78-95 euro për vete dhe rreth 95 euro për makinën. Ditët e fundit, në Portin e Durrësit është vërejtur një fluks i jashtëzakonshëm udhëtarësh, i cili arrin deri 2.000 persona në ditë. Edhe numri i automjeteve është rritur ndjeshëm, ku vetëm kamionë llogariten afro 1.000 në ditë, ndërsa makina rreth 1.500-2.000 në ditë.