E motra e 37-vjeçares, Marjana Karolina Bunaj, e cila ndërroi jetë disa ditë më parë teksa po transportohej drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar mjekësore, ka rrëfyer detaje se si u menaxhua situata në Pogradec.
Ajo tregoi në emisionin “Me Zemër të Hapur”, se e motra e kishte telefonuar duke i thënë se kishte dhimbje të forta barku, dhe se më pas ishin drejtuar menjëherë në spital.
Ajo theksoi se doktoresha e turnit kishte deklaruar se kishte hemorragji dhe se duhej një helikopter për ta dërguar menjëherë për në Tiranë. E motra thotë se madje doktoresha kishte telefonuar edhe një kirurg por nuk kishte shkuar.
“Tha duhet helikopter. Ishte shumë e shqetësuar. Tha se duhet një kirurg. Telefonoi një kirurg, dëgjova se tha ‘nuk erdhi’ a ‘nuk donte te vinte’ nuk e kuptova. Për gjysmë ore më morën prapë që dolën analizat dhe u ngjita në spital sërish. Mjeku i saj është telefonuar që në momentin që kam vajtur për të marrë motrën.“, deklaroi ajo.
Sipas saj, nëse e motra do të futej menjëherë në operacion, dhe të mos e vononin disa orë, do të kishte shpëtuar bashkë me fëmijën. Po ashtu, ajo bëri me dije se parametrat e foshnjes kishin rezultuar mirë para se e motra të transportohej me autoambulancë, ku më pas ndërroi jetë rrugës.
“Mund ta transferonin në Korçë se salla e operacionit në Pogradec është funksionale. Thjesht nuk kishte doktor për momentin. Doktoresha ishte gjinekologe kirurge. Nuk e di për një sallë operacioni mendoj se do të kishin shpëtuar të dy.”, shtoi ajo.
Pjesë nga biseda e saj:
“Mund të ishte parandaluar situata. Në 12 më ka telefonuar, hajde se nuk ndihem mirë. Kam vajtur shumë shpejt. Kemi marrë dhe e kemi çuar në spital. Aty ishte doktoresha roje. Erdhi shumë shpejt, infermierja në turn i vuri për t’i matur tensionin dhe për momentin nuk e kishte të ulët. Por në momentin e dytë, tensioni i kishte rënë. Punë minutash ishte mjekja aty. Kishte dhimbje barku të forta më tha. Kam marrë analizat dhe i kam ngjitur lart. Kur erdha poshtë doktoresha tha se bebi është mirë. Kur i bëri eko tjetër, tha se ka hemorragji të brendshme. Tha duhet helikopter. Ishte shumë e shqetësuar. Tha se duhet një kirurg. Telefonoi një kirurg, dëgjova se tha ‘nuk erdhi’ a ‘nuk donte te vinte’ nuk e kuptova. Për gjysmë ore më morën prapë që dolën analizat dhe u ngjita në spital sërish. Mjeku i saj është telefonuar që në momentin që kam vajtur për të marrë motrën. Ai tha nuk jam. Doktoresha tha duhet urgjent për në Tiranë. Kur kam zbritur poshtë, unë nuk e shoqëroj sepse nuk është rasti im. Një infermiere unë nuk mund ta shoqëroj kështu. Reanimatori tha nuk mund ta shoqërojmë ne se është shtatzënë. Më pas dëgjova se duhet të japë urdhër. Thashë kush? Drejtori, ta telefonoj. Në ato momente, sa kam marrë të telefonoj drejtorin më tha se lëre se e zgjidha. E morën me ambulancë dhe e çuan lart. Iu thoja pse nuk po ikim? Ambulanca është gati por po presim edhe një infermier. Motra reagonte, madje njërës nga ato kolegët aty i kishte thënë po bebi a do të jetojë. Në 12:10 kam qenë në maternitet. Nga ora 2 jemi ngjitur në spitalin e reanimacionit, kur mendova se do të iknim për Tiranë. Me autoambulancë është nisur diku te 4 ose 4:20. Salla është funksionale, por nuk kishte doktor. Mund ta transferonin në Korçë se salla e operacionit në Pogradec është funksionale. Thjesht nuk kishte doktor për momentin. Doktoresha ishte gjinekologe kirurge. Nuk e di për një sallë operacioni mendoj se do të kishin shpëtuar të dy.”





