Pas reagimit të ashpër qytetar edhe inxhinieri i firmës ndërtuese të rrugës “Pavarësia” e kuptoi lajthitjen.

Jo vetëm se e shanë dhe ofenduan me “libër shtëpie” i gjithë populli i plazhit me banorë e turistë, por se një skandal i tillë nuk ishte parë asnjëherë më parë në rrugët e plazhit të Durrësit.  

Vetëm pasi marmitat e makinave qanë me “oi”, parakolpet e tyre mbetën në ‘policët’ e shtrirë rrugës, dhe shoferë e qytetarë e mallkuan inxhinierin, ky i fundit vuri mend.

Kompania hodhi asfalt në rrugë duke amortizuar lartësinë mbi 40 cm të pengesave, e duke bërë që rruga të jetë më lehtësisht e kalueshme për makinat e qarkullimin e mjeteve.

Megjithatë, rruga e plazhit mbetet problematike, pasi është tërësisht e dëmtuar, pas hapjes në mes të saj e vendosjes së tubave të kanalizimeve.

K.H.