Pasi kanë kaluar 10 ditë nga grabitja spektakolare në Rinas e ndërkohë nuk është arrestuar asnjë autor, sipas Partisë Demokratike, kjo konfirmon rënien totale të shtetit dhe të çdo standardi sigurie në vend.

Në një deklaratë për mediet, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, akuzoi policinë se ka qenë vetëm disa metra larg grabitjes dhe nuk ka reaguar.

Drejtori i Kufirit në Ministrinë e Brendshme, e ka konfirmuar vetë se policët kanë qenë fare pranë vendit ku ndodhi grabitja, por sipas tij nuk kanë pasur fushëpamje. Pra në fushën e hapur të pistës së avionëve, policët nuk kanë arritur të dallojnë persona me maska dhe të armatosur që grabisin disa thasë me euro dhe ikin pa u hyrë ferrë në këmbë.

Këto rrethana, kalimi i 10 ditëve pa gjetur asnjë autor, ngjarje të rënda të përsëritura në këtë aks që është një nyje strategjike, dëshmojnë rënien e shtetit, rënien e çdo standardi të sigurisë në këto 3 vite”, tha Alibeaj.

Arsyeja kryesore pse krimi arriti në këtë nivel të paimagjinueshëm, ka të bëjë me;

rënien e ligjit në këto 3 vite,
me sundimin e bandave,
me krimin e veshur me pushtet dhe pushtetin e veshur me krim,
me drogën që ka mbuluar çdo pëllëmbë të vendit,
me trafikun e armëve,
me inkriminimin e pikave kyçe të policisë
me faktin se kriminelë të njohur ulen në zyrën e ministrit të brendshëm për ndërmjetësime private,
me faktin se kriminelë, trafikantë, vrasës e përdhunues me Edi Ramën u bënë deputetë, kryetarë bashkie e shefa të zyrave publike
”, deklaroi Alibeaj.