Rojet bregdetare mungojnë në plazh, megjithëse sezoni i pushimeve ka nisur me kapacitet të plotë përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit tonë.

2 vite më parë, të rinjtë e të rejat që u trajnuan në Mal të Zi për t’u bërë “baywatchet” e parë shqiptarë, qëndronin në kullat e vrojtimit për të ruajtur jetën e pushuesve.

Ishin jo pak, por rreth 40 të tillë, që përgjatë muajve të verës kishin për mision t’i vinin në ndihmë pushuesve që ndodheshin në vështirësi, në det apo në tokë.

Por sot këto kulla janë bosh dhe “baywatchet” pa punë.

Dy vite më parë, Qeveria, përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, nisi vendosjen e kullave të vrojtimit dhe pajisjen e tyre me rojet e plazhit, që do të mbronin pushuesit nga incidentet dhe do të rrisnin sigurinë në plazhe.

Ndërsa sot, realiteti tregon komplet të kundërtën. Përgjatë vijës bregdetare shqiptare nga derdhja e Bunës në Ksamil nuk ka asnjë roje plazhi, pushuesit janë në mëshirën e fatit, nëse për fatin e keq të tyre do të rrezikojnë jetën në det.

“Kulla ekziston, por rojet nuk janë. Vetëm nëse mund të qëndrojnë në ndonjë tjetër vend. Prindi mund të kujdeset për fëmijën, por mund të jetë një moment që ai mund të futet në ujë dhe mund t’i ikë nga vëmendja”, shprehen pushuesit.

Dy ditë më parë, një pushues u mbyt në plazhin e Durrësit, ndërsa sezonin e kaluar raste të ngjashme kanë qenë disa.

Në plazhet e të gjithë vijës bregdetare përgjatë këtij sezoni janë shënuar incidente dhe disa persona kanë humbur jetën duke u larë në det.