Partizani rreshtohet institucionalisht kundër Skënderbeut. Vetëm pak pas publikimit të vendimit të Cas që la në fuqi dënimin e Uefa-s sipas të cilit klubi korçar nuk mund të luajë këtë vit në kompeticionet europiane, më saktësisht në Champions League, Partizani i ka kërkuar Federatës Shqiptare të Futbollit që të pozicionohet në lidhje me këtë dënim për paracaktim të rezultateve nga ana e Skënderbeut. Klubi i kuq ka dalë me një deklaratë zyrtare për shtyp ku shprehet se “pret një qëndrim nga ana e FSHF, duke parë dhe reagimet që kanë mbajtur Federata të tjera demokratike të Europës në raste te tilla”. Partizani shton se futbolli shqiptar është njollosur zyrtarisht nga organizmat drejtuese të futbollit në kontinent, ndërsa deklarata mbyllet me klubin e kuq që shpreh hidhërimin që asnjë ekip shqiptar nuk do të përfaqësohet në Champions League për shkaqe anti-futbollistike”. Edhe pse në deklaratën e Partizanit nuk thuhet shprehimisht, është e lehtë të kuptohet se 15 herë kampionët kërkojnë nga ana e FSHF një dënim të mëtejshëm për Skënderbeun, skuadër me të cilën rivalizuan sezonin e kaluar deri në javën e fundit për titullin kampion.