Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalën e mbajtur në seancën plenare, ka folur në lidhje me vjedhjen e ndodhur në aeroportin e Rinasit. Berisha tha se shuma e parave të vjedhura nuk është 1 milion euro, por 20 milionë. Ai e quajti këtë ngjarje si një vepër e një bande zyrtare qeveritare.
“Ajo që ndodhi në aeroportin shqiptar, në aeroportin e vetëm unik është një akt i mirëfilltë terrorizmi jo ndaj personave, por një grabitje e stili terrorist.
Për 12 minuta banda e armatosur pushtoi pistën e avionëve, ku ishin edhe disa avionë, kryen krimin e shëmtuar dhe u larguan. Çfarë mësuan shqiptarët pas kësaj ngjarjeje, se nuk kemi asnjë përgjegjësi për aeroportin.
E shëmtuar ishte mungesa e transparencës, në mënyrën më të neveritshme deklaruat se u vodhën 1 milion. Janë nisur nga banka 115 kg euro, 30 milionë euro dhe nën 20 milionë avionët nuk transportojnë.
Janë rrëmbyer mirë e bukur, qetë e qetë, dhe janë rrëmbyer të paktën 20 milionë euro. Kjo nuk është vepër e një bande ordinere, por e një bande zyrtare qeveritare”, deklaroi Berisha.
Pas kësaj deklarate të Berishës, ka reaguar deputeti Erjon Braçe. Ai tha se guvernatori dhe shoqata e bankave duhet të marrin masa për këto akuza të ish-kryeministrit.





