Një makinë e tretë është nxjerrë nga polumbarët nga liqeni i Shkopetit. Dyshohet se bëhet fjalë për automjetin që ka rënë në liqen tre netë më parë.
Mjeti i gjetur është tip “Benz 250” me targa AA 587 CP dhe sipas policisë nuk ka lidhje me grabitjen e ndodhur pak ditë më parë në Rinas, ku u vodhën rreth 1 milion euro.
Pas njoftimit nga një peshkatar se dyshonte për një mjet të rënë në liqen, policia shkoi menjëherë në vendngjarje dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nga grupi hetimor më 5 korrik, u gjetën dhe u sekuestruan një targë mjeti dhe disa pjesë të parafangos e parakolpit.
Rreth orës 12:00 të ditës së sotme, polumbarët e Reneas pas tre orëve zhytje, kanë evidentuar dhe nxjerrë nga thellësia 24 metra mjetin në fjalë.





