Dy shqiptarë të moshës 23 e 29 vjeç, që punonin në ndërtim në Itali, si pjesa më e madhe e refugjatëve shqiptarë në vendin fqinj, kanë rënë në prangat e policisë.

Ata vërtet punonin si njerëz të thjeshtë me punë krahu, por nga ana tjetër merreshin dhe me drogë.

Emrat e tyre nuk bëhen publikë nga mediet italiane, teksa raportohet se janë me dokumente të rregullta e rezidentë në provincën e Teramos në rajonin e Abruzzo-s.

Ata u arrestuan pas një kontrolli rutinë të policisë rrugore, pasi në makinën me të cilën ata po udhëtonin u gjetën 2.5 kg marijuanë e konfeksionuar në 4 pako, me një vlerë të përgjithshme prej 10 mijë eurosh.

Policia italiane po heton edhe telefonat celularë të dy shqiptarëve për gjetjen e bashkëpunëtorëve.