Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho i ka drejtuar një letër ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, duke i kërkuar informacion për grabitjen e rreth 1 milion eurove në aeroportin e Rinasit.

“Duke qenë se kjo ngjarje ka nevojë për një trajtim dhe analizë më të thelluar dhe informacion më të plotë, u kërkua nga komisioni që të informohet nga ana e ministrit të Punëve të Brendshme lidhur me gjithë problematikën e mësipërme, duke shmangur çështjet dhe detajet konkrete që janë objekt i hetimit nga organet e prokurorisë. Informacioni do të jetë i disponueshëm vetëm për anëtarët e komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Kryetarin e Kuvendit”, thuhet ndër të tjera në letët.

Kjo kërkesë e Spartak Brahos vjen vetëm pak ditë pas debateve të bëra në Komisionin e Sigurisë Kombëtare mes deputetëve të PS-së, LSI-së dhe PD-së për çështjen e grabitjes në Rinas.

Deputetët e djathtë akuzuan policinë për neglizhencë në këtë ngjarje, ndërkohë që deputeti i LSI-së Luan Rama tha se, nëse një ngjarje e tillë do ndodhte kur ai ishte ministër i Rendit, ai do të shkarkohej.