Komiteti i Politikave të Jashtme në Parlamentin Europian ka miratuar propozimin e Komisionit për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke shënuar kështu një tjetër hap të rëndësishëm për Prishtinën zyrtare.

Në votim morën pjesë gjithsej 49 anëtarë të këtij komiteti, të cilët votuan me 36 vota pro, 7 kundër dhe 6 abstenime.

Miratimi i propozimit u përshëndet menjëherë nga raportuesja për Marrëdhëniet me Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek, e cila u shpreh se topi tani është në gjysmëfushën kosovare. Ajo deklaroi se Prishtina duhet të shënojë progres në dy aspekte të cilat janë:

1 – Ratifikimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi
2 – Progresi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.