Dy shqiptarët Daniel Tufa dhe Fatmir Hykaj, të akuzuar për vrasjen e italianit Marco Montruccoli dhe plagosjen e vëllait të tij, kanë dalë para gjykatës. Në 2 shkurt të 2015 ata kanë vrarë me 15 goditje thike italianin Marco Montruccoli dhe kanë plagosur të vëllain, Matteo.
Gjithçka nisi pasi dy të rinjtë shqiptarë kishin shkuar në shtëpinë e italianëve për të sqaruar një çështje, që sipas mediave italiane kishte të bënte me një pazar droge. Në debat e sipër aty nisi një përleshje.
Më pas shqiptarët goditën 15 herë më thikë Marco Montruccoli. Pas krimit ata u larguan për në Gjermani dhe vetëm në muajin prill të këtij viti pasi janë arrestuar, janë ekstraduar në Itali.
Avokati i shqiptarëve ka thënë se ata kanë mbrojtur veten, pasi janë gjetur në një sulm nga Marco Montruccoli dhe Matteo.
Çështja sipas mediave italiane është e vështirë për tu gjykuar dhe për të vendosur nëse shqiptarët kishin shkuar me qëllimin e vetëm për t’i vrarë apo krimi ndodhi në kushtet e vetëmbrojtjes.





