“Detyrim paraqitje” ka qenë masa e sigurisë që ka dhënë Gjykata e Apelit për drejtorin e Tatimeve në Shkodër, Hysen Hysa i akuzuar për shpërdorim detyre. Sipas organit të akuzës dyshohet se ai i ka rimbursuar subjektit të nipit të tij 10 milionë lekë të reja të TVSH-së në mënyrë të paligjshme.

Urdhri i ndalimit u zbatua nga ana e forcave të Policisë Vendore, Shkodër. Nga hetimi i Prokurorisë së Shkodrës, rezulton se shtetasi Hysaj ka kredituar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në shumën mbi 10 milionë lekë të reja, për subjektin tregtar “H…”shpk.
Në bazë të veprimeve procedurale, rezulton se shoqëria “H…” shpk, me administrator shtetasin M.H., i cili është djali i motrës së drejtorit rajonal të Tatimeve Shkodër, kishte humbur të drejtën e rimbursimit të TVSH-së.

Në bazë të legjislacionit fiskal, kompanitë që importojnë mallra nga jashtë për efekt të biznesit, duhet të paguajnë detyrimet doganore para se të përfshihen në skemën e rimbursimit të TVSH-së. Por, shoqëria “H…” shpk nuk e ka shlyer detyrimin doganor për disa blerje në vitin 2012 dhe ndërkohë ka bërë kërkesë për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Nuk rezulton të jetë kryer asnjë verifikim për kërkesën e subjektit, nga ana e adimnistratës tatimore dhe nuk është ushtruar kontroll mbi aktivitetin e tij. Subjekti “H…” shpk, gjithashtu nuk është shpallur debitor nga administrata tatimore për borxhin doganor, detyrim ky që lidhet me verifikimin për rimbursimin e TVSH-së.

Këto mosveprime nga ana e administratës tatimore, kanë çuar prokurorinë në dyshime të arsyeshme se drejtori rajonal i Tatimeve ka favorizuar subjektin tregtar, duke i rimbursuar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e TVSH-së, në shifrën mbi 10 milionë lekë të reja.