Partia Demokratike i kërkoi sot kryeministri Edi Rama që mos heshtë për akuzat në lidhje me foton aq shumë të komentuar me Presidentin e SHBA-së, Barak Obama.

Sipas nënkryetarit të demokratëve, Edi Paloka, heshtja është mënyra që zgjedhin fajtorët, ndërsa theksoi se kryeministri Rama ka konsumuar tri vepra penale.

“Kur skandalin e 80 mijë dollarëve për një foto me Obamën e pasqyroi “Reuters” dhe “Zëri i Amerikës”, Rama tha se janë media të paguara nga Partia Demokratike.

Sot listës së mediave botërore të blera nga opozita, që shkruajnë për skandalin 80 mijë dollarësh të Ramës për një foto me Obamën, i janë shtuar dhe “Washington Post”, “Associated Press”, “Daily Mail”, “The Guardian”.

Mbarë globi e di sot dhe tregon me gisht Edi Ramën, pasi mediat më prestigjioze ndërkombëtare kanë raportuar për krimin federal që po hetohet nga FBI, krim i investuar nga shefi i rilindjes.

Ndërkohë Rama vazhdon të heshtë, nuk jep asnjë shpjegim dhe sulmon opozitën dhe mediat më në zë në botë si të blera”, deklaroi nga selia blu Paloka.

Ai shtoi se “një njeri i korruptuar si Edi Rama, i cili bleu me 80 mijë dollarë një foto me Obamën, mendon se çdo gjë është në shitje e çdo gjë mund të blihet.

Por krimi është shumë i rëndë, është krim federal, dhe është kryer në Amerikë ku Edi Rama nuk i bën dot shantazhe kriminale drejtësisë”.

“Krimi është i rëndë dhe mediat më prestigjioze botërore flasin për të, dhe nuk janë si ato media që i kap, i lëshon, u mbyll gojën dhe i drejton vetë Edi Rama.

Përveç hetimit që po bën FBI, është e qartë se Rama ka konsumuar tri vepra penale edhe sipas ligjeve shqiptare, që janë ndikimi i paligjshëm, mosdeklarimi i pasurisë, dhe pastrimi i parave, vepra për të cilët ai duhet të përgjigjet para drejtësisë shqiptare.

Kallëzimi penal është dorëzuar tashmë, dhe ne i kërkojmë Prokurorisë të hetojë me seriozitet dhe e pandikuar nga sulmet e presionet e Edi Ramës”, përfundoi Paloka.