*Ministri: Nuk ka kompromis me shëndetin e konsumatorit!
“Ne nuk do të bëjmë kompromis me sigurinë ushqimore. Qoftë edhe për një shkelje të vogël, subjekti do të penalizohet me ligjet më të rënda, sepse nuk mund të rrezikojmë me shëndetin e popullatës”. Ky mesazh është i qartë në rrjetin e kateringut të bar – restoranteve. Do të shkelim me këmbë për të verifikuar personalisht që të gjithë kriteret e standardit të sigurisë ushqimore të plotësohen deri më një!”
Ishte ky mesazhi që u përcolli nga Durrësi të gjithë restoranteve e rrjeteve katering, ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Paanariti.
Deklarata është dhënë nga plazhi i Durrësit, ku ministri Panariti ka certifikuar një prej restoranteve të zonës së plazhit në sektorin “Iliria”, me certifikatën e inspektimit për produktet ushqimore.
Ministri dhe shërbimi veteriner i AKU-së inspektuan të gjitha ambientet, kuzhinën, barin, restorantin, kushtet në të cilat ruhen produktet ushqimore në frigoriferë, pajisjen me certifikatë të origjinës së produkteve ushqimore, si dhe kontrollin e të gjithë punonjësve nëse janë të pajisur me certifikatë shëndetësore.
“Produktet ushqimore në bare, restorante e shërbimin katering, janë të sigurta për të gjithë pushuesit në plazhin e Durrësit”. Ministri Panariti së bashku me drejtorin e përgjithshëm të AKU-së dhe drejtorin Rajonal, dha garancinë se kontrollet do të jenë të intensifikuara në çdo subjekt gjatë sezonit veror.
K.H.





