Për katër muaj, familjarët dhe të afërmit e shqiptarit Xhevahir Gjuta, 26-vjeçar, banor i vjetër i Grosseto-s, mendonin që kishte vdekur gjatë një zhytjeje amatoriale në ujë në Punta Ala.
Por shqiptari me profesion kameraman, kishte vendosur për të zhdukur çdo gjurmë të tij vetëm për të evituar një martesë të kombinuar nga familja e tij që do të celebrohej më 15 prill në Shqipëri. Aq të urryer e ka pasur këtë martesë, sa ka preferuar të shtiret se kishte vdekur.
Gjithçka u mor vesh vetëm një ditë më parë, kur Gjuta është paraqitur në një komisariat policie në rajonin e Toskanës, duke treguar gjithë të vërtetën e tij.
Ai ka rrëfyer se pasi është shtirur si i mbytur duke braktisur makinën e veshjet e tij në vendin ku do të kryente zhytjen, është larguar pa dokumente në qytetin e Milanos.
Por nisja e një jete të re pa dokumente, pa kartë krediti, pa telefon, pa para, ka qenë shumë e vështirë. Ajo ishte thjesht e pamundur për të.
Kështu, ai u kthye në Toskana dhe rrëfeu para karabinierëve gjithçka mes lotësh.
S.L.





