Franca në këmbët e Antoine Griezman, është ai heroi i kualifikimit të Bluve në cerekfinalet e Europianit që luajnë në shtëpi, falë dygolëshit të tij Franca përmbysi disavantazhin fillestar duke fituar 2-1 ndaj Irlandës që u detyrua të dorëzohet pas një fillimi ëndërrash.

Deschamps zgjidhte formacionin tip me Giuroud në majë të sulmit të mbështetur nga Griezman dhe Payet, ndërsa O’Neill në 4-4-2 e tij kishte Murphy dhe Long si sulmues, ndeshje që filloi me gabimin e një ylli që vlen mbi 100 milionë Euro. Penallti për Irlandën që në minutën e 2-të të takimit në Stade De Lumiore të Lyionit, Franca befasohet nga Long, i cili u rrëzua në zonë nga Pogba, për Rizzolin nuk kishte dyshime, penallti. Nga pika e bardhë Brady ishtë i pagabueshëm me topin që u përplas në shtyllën e Lloris para se të shkonte në rrjetë. 1-0 për Irlandën pas 1 minutë e 58 sekondash lojë, është ky goli më i shpejti i këtij Europiani, i dyti në gjithë historinë e Europianëve pas atij të Kirichenkos kundër Greqisë në 2004.

Irlanda luajti mjaft mirë në pjesën e parë e madje ishte pranë dyfishimit me Murbhy, duke e mbyllur pjesën e parë në avantazh përballë një France të parashikueshme, por në pjesën e dytë ishte ai, Antoine Griezman, që përmbysi gjithcka brenda 4 minutash, nga e 57 në të 61. Në fillim shënoi me një goditje me kokë në krosimin e Sagna. I jashtëzakonshëm Griezman që për golin e fitores i duhet të ndajë meritat dhe me Giroud, që i hapi hapësirën në qendër duke i shërbyer topin me spond, kaq i duhet fantazistit të Atleticos për të mposhtur sërish Randolph. Franca në avanrtazh dhe për t’i bërë gjërat edhe më të thjeshta për gjelat mendoi sërish Griezman, i cili provokoi përjashtimin me karton të kuq të Duffy, që i ndërhyri nga pas pak hapa larg zonës ndërsa Griezman i drejtohej portës.

Për Irlandën me 10 lojtarë në fushë ishte kjo mbyllja e llogarive ndërsa Franca pati edhe disa raste të pastra për të gjetur edhe golin e tretë me Gignac që goditi edhe traversën. Gjithsesi edhe 2-1 mjafton dhe tani Franca tani do të ketë edhe një javë tjetër pushim , ashtu si para kësaj ndeshjeje pasi të dielën e ardhshme do të përballet me fituesen e duelit Angli-Islandë.