Teuta kishte programuar ditën e djeshme një miqësore me Slavian e Pragës në Austri, por kjo nuk ka ndodhur. Anullimi i ndeshjes nuk përbën ndonjë çudi, pasi diçka e tillë mund të ndodhë për arsye të ndryshme, por ekipi çek ka habitur me lajmërimin e bërë në faqen zyrtare, ku shprehet se ndeshja me durrsakët është anuluar, sepse ata janë nën hetim nga policia për ndeshjet e mëparshme.
“Ndeshja testuese me Teutën e Durrësit është anulluar. Arsyeja është hetimi që po i bën policia klubit shqiptar për ndeshjet e mëparshme”. Një deklaratë e çuditshme, e cila tashmë pritet të gjejë edhe reagimin zyrtar të durrsakëve, të cilët po përgatiten për ndeshjen e datës 30 qershor me Kairat Almatin për turin e parë të Ligës së Europës. Ndërkaq durrsakët kanë lënë Austrinë dhe tashmë janë në Durrës, ku do të përgatiten për ndeshjen e datës 30 qershor kundër Kairat Almaty ndeshje që do të luhet në "Niko Dovana" në orën 20.00.





