“Bëjeni rrugën siç ishte”,- është ky apeli i banorëve, shoferëve e të gjithë qytetarëve të Durrësit, në rrugën Aleksandër Goga, nga Mazouleumi i Dëshmorëve deri në Spitallë, në këtë sezon të nxehtë veror, që shënon edhe pikun e mbingarkesës në këtë segment.
Punimet që nisën rreth tre javë më parë për shtrimin e rrjetit elektrik 20 kw, në këtë segment rrugor, nuk janë mbyllur. Kompania e çau rrugën mes e për mes dhe në ditën e dytë të punimeve ndodhi një aksident i tmerrshëm, pasi një punonjës policie në shërbim, 27- vjeçar, u përplas teksa udhëtonte me motor në kanalet e hapur të rrugës e përfundoi në gjendje kome në spital si rezultat i aksidentit.
Por, pasi shrimi i rrjetit elektrik përfundoi, rruga nuk është asfaltuar ende, ka mbetur e çarë, gropa- gropa, një tmerr i vërtetë për të gjithë përdoruesit e saj. Segmenti i rrugës Aleksandër Goga nga Mazouleumi i Dëshmorëve deri në Spitallë është ndër më të mbingarkuarit, pasi në këtë rrugë ndodhen Drejtoria e Policisë, komisariati, urgjenca e Spitalit Rajonal, varrezat e reja e të vjetra.
Apeli i të gjithë durrsakëve i drejtohet kreut të bashkisë , pasi edhe ai është përdorues i rrugës, pavarësisht se ecën me fuoristradë.
“Kryetar ju lutemi bëjeni rrugën siç ishte, hidhi asfaltin, është premisë për aksidente, për trafik, e makinat u dëmtuan!”- është apeli i qytetarëve.
Dyert e dritaret e apartamenteve nuk mund të hapen nga pluhuri në ajër, është një tmerr i vërtetë! Shteti na krip kokën, me taksa e siguracione makinash, dhe rrugët janë lënë të hapura për të na shqyer makinat! Paguhet pastrim e gjelbërim dhe asnjë prej këtyre shërbimeve nuk ka!”- janë shpehur më tej qytetarët.





