Vapa në Tiranë është e papërballueshme për të gjithë e sidomos për fëmjët. Të gjithë tiranasit janë dyndur këtë fundjavë në plazhin e Durrësit, për t’u freskuar sadopak në det e për të marrë rreze dielli. Janë kryesisht familjarët ata me fëmjë të vegjël, që në plazhin e madh të Durrësit, kanë mundësinë më të mirë të mundshme që me pak shpenzime të kalojnë pushime pranë detit.
“Jemi nga Tirana, më mirë se në Durrës nuk ka, sidomos për fëmjët. Deti është i cekët, nuk ka asnjë rrezik për vogëlushët dhe në këtë mënyrë argëtohen. Në Tiranë është shumë vapë”, – thotë një pushuese.
Në këtë muaj të paktë janë pushuesit nga Kosova, të clët janë në mes të muait të Ramazanit. Ata që kanë mbërritur kanë gjetur kushte të favorshme, çmime të lira dhe komoditet në hotele.
“Jemi nga Kosova. 20 Euro nata është çmimi në hotel. Janë çmime të volitshme për të gjithë në këtë stinë”,- thotë një tjetër pushues.
Të gjithë operatorët turistikë janë duke pritur klientët, ndërsa pushuesit shprehen se në plazh kanë gjetur kushte të mira, çmime të lira, por një sërë shërbimesh duhen përmirësuar e sidomos në drejtim të pastërtisë e të higjenës.
Pushuesit thonë se problematika është rruga kryesore e plazhit ku po punohet dhe si pasojë e kanë shumë të vështirë të gjejnë parkim për makinat. Më herët kreu i bashkisë Vangjush Dako, ka deklaruar që në fillim të muajit Korrik dhe në gusht do të ndërpriten punimet, për të favorizuar pushuesit që kanë si destinacion plazhin e madh të Durrësit, në këtë stinë të nxehtë.
K.H.





