E kotë ta fshehim, me një rezultat tjetër ndaj Rumanisë tani do të ishte në qendër të ciklonit. Do të kritikohej për kushedi se çfarë e kushedi se sa zgjedhje, por në fund edhe një herë ai është fitimtar, dhe fituesit nuk mund t’i gjykosh.

Para ndeshjes e kemi parë tek këndonte pothuajse i hipnotizuar vargjet e himnit tonë kombëtar, bashkë me lojtarët, bashkë me tifozët. Pak para saj, saktësisht 15 minuta para se të fillonte Shqipëri-Rumani Gianni De Biazi kishte postuar në profilin e tij në Facebook një video të veçantë që ja vlen të rishihet.

Ishin të gjitha aty, duke nisur që nga ngritja e Flamurit në Vlorë, Shqipëria e viteve 20, Ahmet Zogu, komunizmi, protestat për liri e demokraci, eksodi i skenave biblike në viteve 90, Bari, tragjedia e Otrantos, çmenduria masive e 97, Lufta e Kosovës , Adem Jashari, martirët e lirisë dhe mes futbollit e shpresës që ai gjeneron, peshëngritja me Aleksandër Kondon, Shpallja e Pavarësisë së Kosvës, fitorja historike e 2004 ndaj Greqisë që vinte si kampione e Evropës, festa e çmendur e asaj nate në Tiranë, Luan Krasniqi, gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare, për të ardhur te kjo epokë e re, kjo kombëtare, tifozët e saj të mrekullueshëm, droni mbi qiellin e Beogradit, momentet e paharrueshme të kualifikimit, festa në Digitalb Arena në Tiranë, gjithçka për të kujtuar, se sot Evropa na shikon të barabartë.

Një video e veçantë e tejet motivuese, ku i duhet ndoshta ua ka treguar dhe lojtarëve para sfidës, një video me tone të forta patriotike, një video prej shqiptari të vërtetë, plot dashuri për këtë vend, ndoshta nesër do ta kritikojmë sërish, por diçka është e sigurt, De Biazi është jo thjesht një trajner i madh, ai ndihet njëri prej nesh.