Presidenti amerikan Donald Trump është nisur drejt Kinës për një takim me presidentin kinez Xi Jinping, ndërsa para largimit nga Shtëpia e Bardhë foli për marrëdhëniet me Pekinin, Iranin dhe zhvillimet ndërkombëtare.

Trump e cilësoi SHBA-në dhe Kinën si “dy superfuqitë e botës”, duke dhënë sinjale pozitive për raportet mes dy vendeve në prag të vizitës së tij në Pekin. Ai tha se pret të zhvillojë bisedime të gjata me Xi Jinping, ku në fokus do të jetë edhe situata në Lindjen e Mesme dhe tensionet me Iranin.

Presidenti amerikan paralajmëroi Teheranin duke thënë se Irani duhet të arrijë një marrëveshje dhe nuk mund të pajiset me armë bërthamore. Sipas tij, SHBA-ja e ka situatën “nën kontroll”, ndërsa shtoi se nëse nuk arrihet një zgjidhje diplomatike, pasojat për Iranin do të jenë të rënda.

Trump foli edhe për rolin e Pakistanit në përpjekjet diplomatike, duke i vlerësuar zyrtarët pakistanezë si ndërmjetës të rëndësishëm në diskutimet ndërkombëtare.

Gjatë komunikimit me gazetarët, ai u ndal edhe te marrëdhënia me presidentin kinez Xi Jinping, për të cilin tha se pritet të zhvillojë një vizitë në SHBA në fund të vitit.

Trump përmendi gjithashtu projektin për sallën e re të banketeve në Shtëpinë e Bardhë, duke shpresuar që ajo të jetë gati deri në atë kohë.

Në një moment tensioni me median, presidenti amerikan reagoi ashpër ndaj një gazetari që ngriti pyetje për kostot e projektit, duke e ofenduar publikisht.

Sipas mediave ndërkombëtare, Zonja e Parë Melania Trump nuk do ta shoqërojë presidentin amerikan gjatë kësaj vizite në Kinë.