Nga: ISIDOR KOTI*
Më yshti për të shkruar këto radhë, një mik në rrjetet sociale, i cili kishte postuar një falënderim ironik për komshiun e tij. Komshiu dembel dhe aspak i emancipuar e hidhte për vite me radhë qesen e plehrave nga dritarja e shtëpisë, por çuditërisht herën e fundit kishte zbritur ca shkallë, duke e lënë aty, te pragu i tjetrit. Një hap brilant emancipimi, që në dukje të bën për të qeshur. Si rregull, jo vetëm për kulturë komunitare, komshiu ende i pagdhendur duhej ta linte qesen te kazani që ndodhet disa metra më tutje. Por nëse ky rob Zoti, apo rob koti (quajeni si të doni) ndryshon pas kaq shumë vitesh, nuk është faji i tij. Sigurisht, faji i mikut tim të nderuar që ankohet në “Facebook”, i cili duhet t’i japë një mësim qytetarie. Së pari, duke ia bërë me dije gabimin, së dyti duke ia marrë plehrat dhe duke ia çuar te pragu i shtëpisë dhe së fundi duke e çuar çështjen te përgjegjësi i pallatit ose duke u ankuar në organet e rendit publik për të disiplinuar kokëshkëmbin dembel dhe nursëz.
Nuk është gjithmonë e nevojshme të thërritet historia në veprim. Nuk mund të presim parashikimet e Kontit, që thotë se kultura e një shoqërie do 200 vjet të ndryshojë, as të mendojmë esetë e Konicës te “Shqipëria, një vend shkëmbor…”, as Kadarenë me thënien e famshme që, “Të bëhesh qytetar i emancipuar, duhet të kesh më shumë të afërm në varreza sesa në shtëpi”. Nuk ka kohë për kohë, as për refleksione, as për shembuj, as për ndërrim brezash. Ndryshimi është çështje aktualiteti e jo thjesht konstatimi apo mjet për të shprehur keqardhjen. Nëse komshiu vazhdon e lë qesen e plehrave te pallati, nuk është faji i tij, por i gjithë komunitetit frikacak dhe egoist, që nuk reagon, që nuk çlirohet nga shikimi përtej portës së shtëpisë personale.
Çfarë është e përbashkët, është e gjithsecilit dhe askush nuk ka të drejtë ta dëmtojë, ta përdhosë, ta injorojë. Forca e zërit dhe arsyes nuk mjafton për aq kohë sa ambienti ku banon kthehet në një kazan mbeturinash. Ndërkohë, kazani i vërtetë i mbeturinave kthehet në një “kuti Pandore” për të varfrit që nuk të shohin më në sy, por në qesen e plehrave. Po, jemi shoqëri kontrastesh dhe çudirash, që falim shumë nga të drejtat tona qytetare dhe pranojmë të dhunohemi në çdo drejtim publik, edhe te pragu i shtëpisë madje. Bëjmë foto, edhe një diçiturë ose koment mbresëlënës, i postojmë në rrjetet sociale dhe presim reagimet nga (ar) miqtë tanë. Kjo nuk është zgjidhje, as zgjedhje. Ka ardhur koha e poliseve të lashtësisë. Asokohe njerëzit ishin shumë herë më të emancipuar. Mblidheshin të gjithë dhe gjykonin të mirat dhe gabimet, ndërsa tani, duke qenë më të atomizuar, të koncentruar te vetvetja, ia kemi lënë në dorë shtetit apo bashkisë t’i zgjidhë këto halle.
Kazani i mbeturinave me të cilin e nisëm këtë shkrim është një simbolikë që shërben edhe si model për shumë e shumë problematika sociale të ngjashme apo më të komplikuara në arenën e jetës shqiptare. Emancipimi, siç duket është ende një betejë për të luftuar, një ekuacion i vështirë jo thjesht i logjikës apo mesazheve puritane. Mund ta kesh shtëpinë pranë kalit të Skënderbeut (në qendër të Tiranës), por jeton e sillesh si në fshatin më të humbur, sikurse ndodh edhe e kundërta, siç shohim të ndodhë rëndom në të përditshmen tonë. Shteti e bashkia jemi: unë, ti, familja jonë, e më tej të tjerët rrotull e përtej nesh. Përgjegjësia është sa personale, aq edhe publike. Kulturë në veprim, përndryshe prano të jetosh si në kazan, (ar) miku im! /GSH/
Te kazani, (ar) miku im!
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
44 foto e dokumenta të rralla të Aleksandër Moisiut i dhurohen UAMD-së (VIDEO)
DW: Këshilli i Mandateve pa vendim për imunitetin e Ballukut
Alba Pollozhani ndahet live në BBVK nga i dashuri
Tragjedi pas tragjedie/ Djali gjendet i pajetë në dyqan, e ëma i jep fund jetës pasi merr lajmin





