Fillimi i sezonit turistik është shoqëruar me dobësimin e valutave, kryesisht euros, një dukuri kjo që ndodh çdo vit në këtë periudhë.
Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, dollari këmbehet me 121.9 lekë, ndërsa monedha europiane me 138.5 lekë.
Rënia e Euros kundrejt Lekut është pasojë e rritjes së ofertës nga turistët, ndërkohë që transaksionet nga tregtarët dhe bankat mësohet se kanë qenë në nivele normale. Ndërsa dobësimi i dollarit reflekton ecurinë e bursave ndërkombëtare.
Në këto të fundit, monedha europiane këmbehet me 1 dollar e 13 cent. Gjatë periudhës në vijim pritet në rënie e mëtjeshme e euros. Kjo për shkak të valutës që do të sjellin me vete emigrantët që do të kthehen në atdhe për pushime, por edhe turistët e huaj.
Një euro e dobët favorizon të gjithë ata që kanë kreid në këtë monedhë pasi do të paguajnë më pak për këstet mujorë. Gjithashtu, importuesit do i blejnë më lirë mallrat, çka paralajmëron rënie të çmimeve në treg.
Nga ana tjetër, edhe qeveria do të paguajë më pak për shlyerjen e interesave të borxhit të jashtëm. Me humbje dalin eksportuesit, norma e fitimit të së cilëve do të ulet./ Ora News/





