Deputeti Ben Blushi e ka cilësuar situatën ku ndodhet sot vendi si katastrofale. Duke folur në një intervistë për Ylli Rakipin në Ora News, ai u shpreh se qytetarët i kanë humbur shpresat te qeveria, teksa tha se sot gjendja është e njëjtë me atë të vitit 1997. Nga ana tjetër, ai lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë. Blushi u shpreh se kjo qeveri përbëhet nga një grup individësh pa ideal. Sipas tij, kjo po sjell dhe rrëzimin e tyre një e nga një. Nga ana tjetër, Blushi la të nënkuptohet se do të krijojë një parti të re, duke thënë se vetëm kjo mund të rrëzojë politikanët që mbajnë sot vendin. Nga ana tjetër. ai lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë, duke thënë se tani ka nisur lëvizjet për të kapur sistemin e drejtësisë.  

-Zoti Blushi, ju çfarë mendoni? Ata ishin shumë…Ju kam parë ju, me një klithmë të madhe në Parlamentin Shqiptar, që sigurisht nuk u shkon përshtat as forcës tënde politike, por as atyre që ikën dje, të djathtës. Ndaj, ju jeni sot në emisionin tim.

Unë besoj se, pavarësisht se ata nuk ishin shumë dhe nuk arritën ndonjë gjë, ata përfaqësojnë një qelizë të shoqërisë e cila është veçse duke u rritur. Testi i parë i një lëvizje jo militante, jo partiake, e cila mund të ketë një sukses, ishin armët kimike para tre vjetësh. Dhe armët kimike nuk i kanë hequr nga Shqipëria, as partitë, as ata që do na i sillnin. Na i kanë hequr një mijë, apo dy mijë shqiptarë, të cilët u mblodhën disa ditë në shesh dhe kërcënuan se me armët kimike në Shqipëri, Shqipëria do të ishte një vend i pastabilizuar. Ishte një reagim jo militant dhe unë aty e gjej bërthamën e një lëvizje që ka sukses, pavarësisht se nuk ka nga mbrapa një makinë partiake. Kështu e shoh edhe rastin e Parkut, pavarësisht se ai nuk pati sukses, por kjo nuk ka lidhje.

Çështja që duhet analizuar është kjo. Unë besoj se në Shqipëri, pas 25 vitesh, shqiptarët janë duke bërë një bilanc. Çfarë fituan për 25 vjet. A jetojmë më mirë? A jemi të lirë? A fitojmë më shumë demokraci apo mirëqenie nga zgjedhje në zgjedhje. A janë zgjedhjet një përsëritje e mërzitshme e asaj që kishim? A ka drejtësi të pavarur? A ka stabilitet? Ky bilanc shtyn shumë njerëz që të jenë më pak militantë nga sa kanë qenë.

-Z.Blushi, tre vjet më parë, unë, kolegët e mi mbase, patëm një shpresë të madhe se po ndërroheshin brezat. Po ikte një brez i vjetër, i cili vinte përtej viteve ’90, një brez i jetuar mes dy jetëve (në komunizëm dhe në kohën e re), dhe Shqipërinë e zhyti në një tranzicion të egër dhe të pafund. Patëm një shpresë të madhe. Tani, unë personalisht, mbase edhe kolegët e mi, jemi totalisht të zhgënjyer. Po ju çfarë mendoni?

Unë mendoj më keq se ju. Unë mendoj se zhgënjimi është më i madh nga sa pritej. Çdo qeveri, apo palë që vjen në pushtet, ka një fazë arredimi. Pyetja është çfarë bën për kohën që e harxhon në detyrë?Edhe unë besoj se këto tre vitet e fundit, kanë thelluar dëshpërimin për 25 vjet të harxhuara, jo kot, por për të shpërdoruar. Ne kishim mundësinë që gjatë këtyre 25 viteve të ndërtonim një sistem funksional demokracie. Këtë se kemi arritur. Kemi drejtësi të varur, media të varura, kemi një ekonomi totalisht të paqëndrueshme, e cila mbahet ose nga remitanca ose nga para që vijnë nga banka të huaja, na ka rënë prodhimi dhe kemi shumë emigracion.

-Ç’është Shqipëria e Rilindjes pas tre vitesh?

Rilindja ndihmoi që ky dëshpërim të rritej. Ky dëshpërim i akumuluar prej 25 vitesh, të shtohej. Pse? Njerëzit në vitin 2013 mendonin se kjo ishte një mundësi e fundit, ndoshta për t’i vënë një kapak tranzicionit, për të mbyllur një epokë korruptive, jo funksionale, emigracioni të lartë. Kjo nuk ndodhi. Rilindja veçse i shtoi zullumet që kishte për të zgjidhur. Dhe bilanci i sotëm, pas tre vitesh, është katastrofal. Shteti për mua është në prag kolapsi, unë nuk besoj se kemi parë këtë kaos, përveçse në vitin ’97, apo në prag të atij viti. Shteti nuk funksionon. Shikoni se çfarë ndodh. Shqipëria sekuestron zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, 10 përqind e bashkive kanë rënë, se njerëzit që i drejtojnë kanë probleme me ligjin. Është totalisht afunksionale, ekonomia e Shqipërisë është në ditët e veta më të zeza, nevoja për të lënë Shqipërinë, për ta braktisur, është më e madhe. Ky është bilanci i Rilindjes për tre vjet. Dhe kjo është që unë them vazhdimisht, e vazhdimisht, e vazhdimisht…Kjo është arsyeja që ka kaq shumë pakënaqësi midis. Pra, njerëz të pakënaqur midis partive të mëdha. Njerëz ndërmjet dy poleve të mëdha, majtas apo djathtas, janë duke u shtuar. Partia më e madhe sot është Partia e të Pakënaqurve. Pasi kapën pushtetin vendor, tani duan të kapin gjyqësorin. 

-Mund të ketë një emër, jo atë që përmendur ju.

Partia e të pakënaqurve është më e madhe në Shqipëri.

-Pse kemi mbërritur këtu? 

Unë besoj se ka dy arsye. Qenia njerëzore në përgjithësi është grabitqare nga natyra dhe kërkon të marrë diçka që nuk e ka, ose që nuk e arrin dot, e merr me forcë, me dhunë, me hile, me mashtrime. Po pse kanë lindur shtetet? Janë për të disiplinuar marrëdhëniet njerëzore, për ti kufizuar raportet mes meje dhe teje. Pse arritëm ne në këtë pikë, pas 25 vitesh? Për shkak të etjes për përfitim të paligjshëm, të kujto që ka pasur një detyrë publike, nga më i thjeshti deri tek Presidenti dhe për shkak të mosndëshkueshmërisë. Askush nuk është ndëshkuar. Këtu ndëshkohesh me votë, por kjo nuk mjafton. Duhet të ndëshkohesh me ligj. Pra ti, bën një reformë që nuk ka sukses, vjen populli pas një apo dy mandatesh, dhe të heq. Ka një vakum elektoral nga 1, deri në 25-30 përqind, të cilët ndoshta sot, nuk do të votojnë asnjë nga tre partitë e mëdha. Kjo është situata sot në Shqipëri, si do të shkojmë drejt një sistemi, i cili garanton mbajtjen e premtimeve që jep.

-Zoti Blushi, ne i shohim ata. Unë mund të jem një prej tyre. Ti si i thërret këta njerëz? Pse duhet të votojnë ata për ty?

Nuk kam ardhur sonte t’i them askujt votoni për mua, sepse unë akoma nuk jam një subjekt elektoral.

-Do të jesh nesër.

Nuk e dimë, koha do e provojë. Unë po përpiqem sot të higjienizohem, kjo është në aspektin personal. Unë nuk pranoj më të jem palë me çdo të keqe që mua më duket se është e keqe. Kush është kjo? Qeverisje sektare. Mungesë drejtësie, mungesë parimesh, kriminalizim i interesit privat, cënim i integritetit të individit çdo ditë. Kjo është në aspektin personal.

-Ju nuk jeni prift, ju jeni politikan…

Unë po flas për aq sa më takon, sigurisht që me sa konstatoj, se unë jam duke takuar shumë njerëz sot në Shqipëri, ka një masë të madhe njerëzish, që po mendojnë, apo po shkojnë drejt një opsioni të ri, apo të tretë apo të katërt. Koha do e provojë sa i vlefshëm është ky dhe kush do ta bëjë. Jam i bindur se dikush do ta bëjë. Dikush në Shqipëri, mos brenda një viti, brenda dy-tre viteve të ardhshme, do grumbulloj aq shumë shpirtra të pakënaqur dhe shpirtra të lirë, për të formuar një projekt politik, i cili padyshim do të iniciojë rënien e kësaj klase politike që është shumë e shpejtë.

-Mendoni se ka degraduar kjo parti?

Mendoj se të dy partitë e mëdha, që janë në anën e të njëjtës monedhë, janë shumë të ngjashme, në kuptimin e demokracisë, raportet që kanë me drejtësinë, raportin që kanë me të varfrit, me të pasurit. Do mendimin tim? Dy parti që na qeverisin sot nuk janë parti, janë parti të të pasurve. Shqipërisë i mungon një parti të shtresës së mesme dhe të të varfërve. PS-ja dhe PD-ja nuk janë njëra majtas dhe tjetra djathtas. Janë të dyja vertikale dhe janë parti të të pasurve.

-Nuk duken as të pasurve…

Janë të kateve të larta. Kush e përfaqëson shtresën e mesme dhe të të varfërve? Për mua askush, asnjë nga partitë që ka fuqitë të marrë vendime. Sigurisht mund të ketë një parti periferike, por ajo nuk ka as fuqi. Ky kontingjent njerëzish, në mos në këto zgjedhje, në mos këto të vitit 2017, padyshim që për tre katër vjet, do përfaqësohet në Parlament dhe do të ketë mundësi të kushtëzojë partitë e mëdha dhe do t’i bëjë akoma më të vogla. Në Rusi, influenca amerikane dhe e Perëndimit është e kufizuar. Nuk ka mundësi që t’i bëjë presion popullit. Kam parë një dokumentar para 7 apo 8 vjetësh. Para Obamës, Xhorxh Bush shkoi në Dubai për vizitë. Ndër të tjera ai tha; Mirë është që të merreni pak me të drejtat e njeriut. Tu jepej mundësi qytetarëve të Dubait që të votojnë. Pse? E di pse, sepse në Dubai nuk ke të drejtë vote. Nëse ti je qytetar i atij vendi, ti nuk voton për qeverinë e atij vendi. Dhe BBC bëri dokumentar dhe shkoi e pyeti ca të rinj: Ju jeni të rinj, jetoni shumë mirë, a e keni problem se ju nuk keni të drejtë vote? Jo mo fare thanë ata. Pse duhet të votojmë ne! Populli nuk donte të votonte. Ne nuk hyjmë në këtë pjesë të votës. Prandaj ne kemi pasur më shumë progres, kur kemi pasur më shumë demokraci. Dhe sa herë demokracia në Shqipëri është mbytur, kemi jetuar më keq. Unë besoj se, edhe nëse qeveritë nuk na garantojnë dot rroga më të larta, pensione më të larta, çmime më të lira, të paktën të na garantojnë më shumë liri. Kjo nuk po ndodh. Në tre vjet, liritë tona po kufizohen. Nëse kryeministri thotë shko bëj parti që mua të më ndryshosh mendjen, e si mund të jetë kështu./Ora News