Avokati i Popullit zhvilloi sot në Gjirokastër, Auditoriumin “Gjendja e të drejtave kolektive të minoriteteve në Shqipëri”, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së dhe Këshillin e Evropës, si dhe me mbështetjen e Mbretërisë së Danimarkës.

Në fokus të diskutimit mes ekspertëve në çështjet e minoritetit, përfaqësuesve të shoqërisë civile, shoqatave e grupeve të interest, kanë qenë problematikat e evidentuara nga inspektimet e Avokatit të Popullit në vendbanimet kryesore të minoriteteve dhe komuniteteve të tjera. Avokati i Popullit, Igli Totozani, theksoi se ky Auditorium kulmon punën e bërë nga institucioni për periudhën pas dorëzimit në Kuvend të Raportit të Posaçëm të Minoritetit në fillim të 2015.

Totozani tha se institucioni që drejton do të ftojë zyrtarisht Komisionet Parlamentare për një seancë të hapur dëgjimore me prezencën e përfaqësuesve të minoriteteve dhe institucioneve shtetërore, për të diskutuar mbi të drejtat e minoriteteve, standardet ndërkombëtare në këtë fushë dhe punën e institucioneve shqiptare.

Avokati i Popullit kërkoi:
-Miratimin e ligjit të minoriteteve, ku të përcaktohen kriteret sistemike ligjore për njohjen zyrtare të minoriteteve;

-Procesi i hartimit të ligjit duhet të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës;

-Të ndryshohet ligji për diskriminimin. Të shtohen shkaqet për diskriminim;

-Të zbatohen rekomandimet e Komisionit Europian kundër razicmit dhe intolerancës (ECRI). Avokati i  Popullit ka përgatitur për vetë institucionin një plan veprimi për të gjitha kontributet që mund të japë për zbatimin e rekomandimeve të ECRIT, siç janë:

-Të miratohet dhe ratifikohet Karta Europiane e gjuhëve rajonale

-Një census i gjithëpranuar i bazuar mbi kritere objektive

-Pjesëmarrje më aktive dhe përfshirje në qeverisjen vendore dhe qendore të minoriteteve

Avokati i Popullit, Igli Totozani ka falenderuar gjatë këtij Auditoriumi OSBE-në dhe Këshillin e Europës për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në përmirësimin e standardeve të jetës së minoriteteve në Shqipëri si dhe ka vlerësuar angazhimin e Ministrisë së Arsimit në plotësimin dhe respektimin e të drejtave të minoriteteve, si dhe Komitetin Shtetëror të Minoriteteve.