Drafti i reformës në drejtësi nuk është futur në kalendarin e punimeve 3-javore. Nuk bëhet fjalë për draft, por për një gabim teknik, bën të ditur Kuvendi.

Institucioni sqaroi se ka pasur një gabim teknik në zbardhjen e projektligjit, pasi ai u hodh 2 herë.

“Konferenca e Kryetarëve, në mbledhjen e datës 9.6.2016, ka miratuar me mirëkuptim kalendarin 3 javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 13 qershor – 1 korrik 2016.
Lidhur me kalendarin e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit dhe përfshirjen apo jo të projektligjit të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, sqarojmë se ka patur keqkuptim nga përfaqësuesit e grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, pasi nuk bëhet fjalë për këtë draft, por për një gabim teknik në zbardhjen dhe hedhjen e materialit në faqe, të të njëjtit projektligj dy herë (Projektligj “Për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”), i cili do të korigjohet në vijim nga shërbimet e administratës së Kuvendit”, sqaron Kuvendi.

Dje u konfirmua se Reforma në Drejtësi ishte futur në punimet 3 javore të Kuvendit të Shqipërisë. Në mëngjesin e djeshëm ky draft nuk ishte futur në programin e punës, ndërsa pas përfundimit të punimeve të Kuvendit drafti ka rezultuar në punimet 3 javore. Pas kësaj, PD u shpreh se drafti ka kaluar ‘ilegalisht’ në konferencën e kryetarëve.

 Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, është shprehur se “ky është një skandal. Drafti ka kaluar në mënyrë të fshehtë, pa dijeninë tonë në Konferencën e Kryetarëve. Në kalendarin e punimeve të Kuvendit që kemi nuk është drafti i Reformës në Drejtësi”.

E ndërsa Vasili dhe Meta sqaruan sot se ndodhia e djeshme ishte lapsus.