Kryeministri Edi Rama, në një takim ku janë prezantuar ndryshimet e reja ligjore për ashpërsimin e masave ndëshkimore për ndërtimet pa leje, ka kërkuar më shumë punë nga Policia e Shtetit.
Gjatë fjalës së tij, Rama paralajmëroi se në bazë të kodit penal do të ndëshkohen të gjithë abuzuesit.
Sipas kreut të qeverisë, ndërtimet pa leje apo krimet mjedisore duhet të trajtohen nga policia e shtetit me të njëjtin prioritet si lufta kundër krimit dhe korrupsionit apo edhe trafikut të drogës.
“Qëllimi kryesor është për të rritur sa më shumë dhe sa më shpejt vetëdijen dhe ndjenjën e përgjegjësisë të strukturave të shtetit në raport me këtë aspekt kaq të rëndësishëm të qeverisjes dhe të detyrimeve që ka shteti ndaj vendit dhe ndaj qytetarëve. Kërkon një mbështetje të plotë në aspektin ligjor dhe këtë e kemi garantuar me ndërhyrjen e fundit. Nga ana tjetër kërkon një paketë të re aktesh nënligjore që ku të gjitha përgjegjësitë dhe ndërveprimet që pasojnë të jenë të qarta për të gjithë.
Është shumë e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë këtu, se cdo ndërtim pa leje sot rrit në mënyrë të ndjeshme kostot e përbashkëta nesër. Duke cënuar pronën publike apo private, duke cënuar planet e zhvillimit, duke cënuar buxhetin e shtetit pasi vetiu kthehet në një çështje sociale apo në një cështje financiare si rezultat i inercisë të një procesi legalizimesh.
Nga ana tjetër kemi ndërtimet me leje që bëhen vatra abuzimi ku mbi lejen e dhënë ndërtohen volume të tjera dhe krijohen deformime të mëdha me kosto për komunitetin dhe zhvillimin.
Që policia e shtetit e ka kapacitetin ta kontrollojë në cdo centimetwr territorin, këtë e tregon vetëm një fakt i thjesht, një fakt sa i thjesht sa edhe sëkalldisës. Kur vjen puna për një mur, për një çati. për një avlli në fund të botës, në zona rurale të thella, gjendet polici që shkon atje dhe që i kërkon llogari një fshatari, ndërsa kur vjen puna për abuzime në zonat turistike, buzë rrugës që nga Velipoja deri në Sarandë, atëherë çuditërisht nuk gjëndët i njëjti polic i zellshëm”, tha Rama.





