Nga Gladiola Jorbus
Padyshim që luftërat kanë frymëzuar, ndikuar apo infektuar letërsinë, kinematografinë dhe krejt artin në përgjithësi. Ky i fundit duhet konsideruar një aleat për të kuptuar më mirë të djeshmen.
‘’Mbyllur për pushime’’, romani më i ri i Stefan Çapalikut transmeton fragmente nga Lufta e Dytë Botërore që nga dita e kapitullimit të Italisë, në shtator të vitit ‘43 deri në ardhjen e komunistëve në pushtet, në nëntor të vitit ’44. Vetvetiu në periudhat gjatë dhe post bellum evidentohen raportet midis kostos dhe fitores. Ana nga e cila zhvendoset peshorja, vulos fatin e jetës së njerëzve. Rëndom jemi mësuar të himnizojmë fituesit e të anashkalojmë humbësit. Por në të vërtetë, cili është fati i këtyre të fundit?! Me se përballen ata ?!
Në sfondin e romanit, imazhet e dashurive të humbura, mungesa e të drejtës për të zgjedhur, privimi i lirisë, shpalosin kohën e zymtë (si stina e pambarimtë e shirave të Shkodrës), por në të njëjtën kohë dhe vlera të mëdha që do të jetojnë në zemrat dhe kujtimet e të dashuruarve, të humburve, miqve e armiqve.
Portrete me valenca politike, historike e artistike, ngjyrosin peizazhin e luftës; fatet e personazheve kontrastohen nga dëshirat dhe synimet që spikasin për papërpuethshmërinë me atë që ofron koha historike, ideologjia apo vetë faki i të qenit në momentin e gabuar, në vendin e gabuar.
Romani i Çapalikut është një ylber që shkëlqen përtej konfuzionit të një epoke gri, një dëshmi e brishtë që na pëshpërit se si, kundër të gjitha fatkeqësive, njeriu tenton të jetojë përtej asaj që imponon lufta, përtej jehonës së vdekjes, së disfatës a nënshtrimit, si një ngërç tronditës brenda të cilit duam të rrëmojmë, të qëmtojmë lojërat e dyfishta, emocionet e forta dhe të dhimbshme. Deri ku mund të arrijë fataliteti dhe çmenduria njerëzore?!
Personazhet dramatike janë ngatërruar në skemat mjeruese të jetës e kështu përpiqen të gdhendin këndin e tyre të qetësisë dhe të vërtetës. Ngjarjet në romanin ‘Mbyllur për pushime’ janë vendosur në boshtin Tiranë – Beograd – Shkodër. Vetë shkrimtari është shprehur se i intereson të merret me fatet e njerëzve që kanë jetuar epokën në një kontekst të gabuar, dhe jo faktet historike në vetvete.
Çapaliku është medium i fjalës. Në krijimtarinë e tij artistike që përfshin zhanre letrare si poezia, proza, eseistika, dramaturgjia, fjala nuk ka assesi prirjen për të qenë një ndërgjegjje e vetme, një zë i vetëm.
Teksti dhe konteksti historik nuk janë thjesht thelbi i ngurtë i fakteve që do të interpretohen, ndaj mbetet e nevojshme që fillimisht të konstatohen të dhënat e më pas të zhytemi në detin e interpretimit. Mesazhi lëshohet nga autori dhe merr një jetë më vete. Është e nevojshme që dhe lexuesi të endet në të njëjtin horizont interpretues, që mesazhi të mbërrijë tek ai deri diku i paprekur. Umberto Eco, në lidhje me teorinë hermeneutike të komunikimit, thekson se interpretimi i teksteve nënkupton kufij, ai nuk mund dhe nuk duhet të jetë plotësisht i lirë, por duhet të ndjekë qëllimin e autorit, kontekstin në të cilin u lëshua mesazhi, sistemin e domethënien, dhe kështu me radhë.
Përmes talentit krijues autori mund të rrëfejë, denoncojë apo përshkruajë protagonistët e harruar, humbësit, viktimat. Ata shfaqen në apatinë e tyre, si spektatorë të brishtë të një drame që është vetë jeta e tyre; një dramë që frymon përmes pauzash herë të shkurtra e herë të gjata.
Vepra fiction është skalitur si një procedurë kompozicionale që turbullon kufijtë midis “realitetit të të dështuarve” dhe të krijimit letrar, andaj për këtë arsye ofron një lojë pesimizmi, konfuzioni e kotësie. Përvoja e shfaqjes së humbjes dhe të pikëllimit te këta njerëz është kaq subjektive apo e veçantë. Kjo i bën ata që herë-herë të ndihen të izoluar apo të shkëputur nga bota.
Meqenëse personazhet vuajnë humbje të një rëndësie vitale a esenciale, harku narrativ i historive të tyre jetësore paraqitet i fragmentizuar, si minidrama që tregojnë për betejat e jetuara, përmbushjen apo dështimin e sfidave dhe vlerësimin e ndjenjave e reagimeve. Stefan Çapaliku ka aktivizuar talentin e tij si shkrimtar e dramaturg për të shtrirë kufijtë dhe për të shqyrtuar temat e natyrës njerëzore.
Si një dramaturg bashkëkohor, ai i ka eksploruar ato përmes një lenteje mirëkuptuese duke u shndërruar kështu, në një zë sa humanist, aq dhe të admiruar të shekullit XXI.