Dua Lipa fitoi dy çmime në ceremoninë “Brit Awards” për artistët më të mirë në Britani.

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa ishte nominuar në tre kategori dhe arriti të fitonte çmimet “Këngëtarja më e mirë” dhe “Albumi më i mirë” për albumin e saj “Future Nostalgia”.

“Dua t’i them faleminderit çdokujt sepse ky album më ka mësuar shumë, më ka dhënë besim, fuqi dhe kurajo. Më ka dhënë shumë dashuri dhe miqësi dhe jam shumë mirënjohëse për të gjithë njerëzit që krijuan këtë album”, u shpreh Dua pasi fitoi çmimin “Albumi më i mirë”.

Kjo njëherësh ka qenë ceremonia e parë e madhe që është mbajtur në Britani me prezencë fizike prej shpërthimit të pandemisë.

Në mesin e fituesve të mëdhenj kanë qenë edhe J Hus, Harry Styles dhe Taylor Swift.