Zbardhet dëshmia e pasagjerit që ndodhej në makinë me 40-vjeçarin Bledar Birçaj, që u ekzekutua me breshëri kallashnikovi mesditën e djeshme në Vlorë.

Pasagjeri që po udhëtonte në makinën BMW X5, i cili fatmirësisht iu shpëtoi plumbave, ka thënë para autoriteteve se kanë qenë të papërgatitur për sulmin në momentin kur autorët u kanë bërë pritë.

“Ishim të papërgatitur, na bënë pritë. Ramë direkt pre e breshërisë së kallashnikovit. Pashë dy veta me maska por nuk i njoha dot. Ishin të kamufluar. Nuk jam në dijeni të ndonjë konflikti të fundit”, është shprehur ai.

Policia deri më tani për vrasjen e biznesmenit ka shoqëruar 15 persona, ndërsa në vendin e krimit polica ka sekuestruar mbi 30 gëzhoja.

Dyshimet e uniformave blu janë se makina e autorëve mund të jetë fshehur në ndonjë garazh jo shumë larg zonës ku ndodhi vrasja pasi deri më tani nuk ka asnjë gjurmë prej tyre.