13 mars 2015 – Nga Parku i Divjakës, është prezantuar sot Moratoriumi i Gjuetisë, në të cilin ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministri i Mjesisit Lefter Koka, deputeti socialist Erion Braçe dhe Ambasadori Amerikan Donald Lu.
Procesin e Moratoriumit, kryeministri Rama e lidhi me zhvillimin ekonomik të vendit dhe deklaroi se raporti me natyrën dhe faunën e egër është një raport që varet ekonomia jonë, mirëqenia jonë, zhvillimi ynë.
Rama: I respektojmë gjahtarët, por jemi në krahun e zogjve jo të tyre
“Është një moment i bukur për të bërë bilancin dhe për të nxjerrë disa mësime për të ardhmen. Bilancin e 1 viti pas vendosjes së moratoriumit dhe mësimit se jo vetëm asgjë nuk është e parmundur por bashkë mund të bëjmë gjera të mundura që duken të pamundura. Kemi bërë të mundur kthimin e specieve të veçanta vrastare të njeriut.
Raporti që ministria e Mjedisit i vuri në dispozicion qeverisë fliste për fazanin e shfarrosur 100%, për thëllezën e malit të shfarrosur 70%, për thëllëzën e fushës e shfarrosur mbi 70 % edhe dhelpra nuk i kishte shpëtuar barbarëve 30%. Faktikisht e gjetëm popullatën e faunës së egër në një minimum kritik.
Studimet kanë treguar se në Shqipëri strehohen 180 mijë specie, një shifër që konsiderohet e lartë për sipërfaqet që ka Shqipëria, ndër të cilat është dhe Karavastaja që së bashku me disa zona të tjera hyjnë në zona të njohura ndërkombëtarisht. Kur e kemi vizituar për herë të parë këtë park kemi takuar një grup të Al Jazeera-s, që kishte ardhur për të dhënë lajmin se pelikani kaçurel u kthye në një territor ku jetën ja kishin bërë të pamundur.
Përtej kësaj, është shumë e rëndësishme që të rrisim ndjeshmërinë e shoqërisë sonë që ky raport me natyrën dhe faunën e egër është një raport që varet ekonomia jonë, varet mirëqenia jonë, zhvillimi ynë. Pra, vendosja e moratoriumit është një instrument në funksion të rrijtes ekonomike dhe mirëqenies, sepse banorët e kësaj zone janë dëshmitarë.I respektojmë gjahtarët, por jemi në krahun e zogjve jo të tyre”.
Ministri Lefter Koka: Shqipërisë i japim një pamje tjetër
Ministri i Mjedisit Lefter Koka ka deklaruar se shumë shpejt Shqipërisë do i jepet një pamje tjetër.
"Jemi te vendosur të vijojmë punën. Shumë shpejt Shqipërisë do i japim një pamje tjetër.”
Ambasadori Lu: Moratoriumi, shembull mbresëlënës për mbrojtjen e ekosistemeve
Ambasadori Lu u shpreh i lumtur që mori pjesë në këtë ceremoni jo politike, por që u fokusua në të mirën e kafshëve dhe shpendëve që janë të rrezikuar.
“Jam shumë i lumtur që nuk duhet të flasim për politikë dhe protestë, por për mbrojtjen e kafshëve të egra dhe zogjve. Ky moratorium mbrojtjeje është shembull mbresëlënës për mbrojtjen e ekosistemeve delikate të Shqipërisë. Shumë kafshë janë vrarë nga gjuetarë të huaj dhe vendas, që kanë përfituar nga mungesa e rregullave dhe shkeljes së tyre. Sot natyra e ka rimarrë veten, dhe zogjtë kanë mundësinë të dalin në brigjet e detit sërish. Fëmijët e mi do të jenë në gjendje të shikojnë këta zogj të mrekullueshëm në natyrë”.
/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





