13 mars 2015 – Shtëpia e kryetarit të komunës së Bubqit në qytetin e Laçit, ka rënë pre e grabitjes mbrëmjen e së enjtes, nga disa persona ende të paidentifikuar.

Pesë persona hynë të armatosur në banesën e Qemal Dacit, ku gjatë momentit të grabitjes në banesë ndodheshin edhe bashkëshortja e tij Mimoza Daci dhe kushërira Rudina Daci.

Grabitësit i lidhën të dyja zonjat nga këmbët dhe duart me litar, dhe tentuan të marrin sende me vlerë që ndodheshin në shtëpi, po nuk dihet ende nëse grabitësit kanë arritur të marrin gjë.

Kanë qenë banorët e lagjes ata të cilët kanë njoftuar policinë dhe pas mbërritjes së uniformave blu në vendngjarje, filloi kërkimi dhe identifikimi i grabitësve. Deri më tani janë shoqëruar pesë persona nga Laçi si të dyshuar për këtë rast.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/