13 mars 2015 – Nëpërmjet një vendimi të qeverisë të bërë publike në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme Islandeze, ky shtet heq dorë nga synimi për të qenë vend anëtar i Bashkimit Europian.

Megjithëse nuk jepen arsye, ky hap pritej prej kohësh. Islanda nuk pajtohet veçanërisht me politikat europiane të peshkimit, ku kjo industri zë vendin kryesor në ekonominë vendase.

Por, Bashkimi Europian ka përcaktuar kuota shumë herë më të ulëta sesa kapaciteti aktual i prodhimit të Islandës. Rregullat europiane nuk lejojnë eksportin jashtë kuotave të lejuara, ndaj dhe peshkatarët detyrohen ta rihedhin prodhimin në det.

Pasi dorëzoi kërkesën për anëtarësim në vitin 2009, Islanda nisi negociatat për pranimin në Bashkimin Europian. Por euroskeptikët, të ardhur në pushtet në vitit 2013, ndërprenë bisedimet me arsyetimin se me marrëveshjet e nënshkruara deri më tani, Islanda gëzonte pjesën më të madhe të privilegjeve të një vendi anëtar.

/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/