12 mars 2015 – Për protestën e Partisë Demokratike, e cila pritet të mbahet ditën e sotme në orën 11:00 në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet, organizatorët kanë nisur mbledhjen e qytetarëve.

Autobusët dhe furgonët për të mbledhur simpatizantët e PD-së, po nisen nga i gjithë vendi. Qytetarët janë nisur nga Shkodra, Korça, Vlora, Fieri, Berati, Kukësi dhe Lushnja, ndërkohë që është mësuar se për të marrë pjesë në këtë protestë ata janë paguar edhe me nga 1000 lekë, veç transportit falas.
Gjithashtu ka pasur edhe nga ata simpatizantë të cilët janë nisur edhe me makinat e tyre personale, përveç autobusëve të vënë në dispozicion nga organizatorët e PD-së, Nga qyteti i Peshkopisë janë nisur rreth 1200 qytetarë, ndërsa nga Kukësi rreth 1 mijë protestues.

Ndërkohë, që në orët e para të mëngjesit Policia e Shtetit ka nisur focimin e masave të sigurisë përreth Parlamentit, pasi sot është edhe seanca plenare. Efektivë të FNSH-së kanë rrethuar godinën.

Ditën e djeshme Policia e Shtetit bëri publike planin e masave për mbarëvajtjen e protestës, ku përfshiheshin bllokimet e disa akseve rrugore, sikundër dhe kontrolle të shumta personash dhe mjedisesh, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave që mund të lëvizin me armë apo sende të tjera të kundraligjshme.

/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/