·    Plepat “përgënjeshtrojnë” blutë e Vlorës

·            “Dyrrah”-u tregon kronologjinë e ndalimit të peshkatores nga anija patrulluese e Forcës Detare dhe jo nga policia kufitare e migrimit sikurse pretendon policia e qytetit jugor bregdetar

DURRËS, 11 mars 2015 –  “Dyrrah”-u botoi lajmin “Plepat” e Durrësit njoftojnë Vlorën: Mjet lundrues i paidentifikuar” (shih: http://www.durreslajm.com/aktualitet/%E2%80%9Cplepat%E2%80%9D-e-durr%C3%ABsit-njoftojn%C3%AB-vlor%C3%ABn-mjet-lundrues-i-paidentifikuar), me burim drejtorinë e policisë së qarkut të Vlorës (shih faksimilen dhe linkun e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit: http://www.asp.gov.al/index.php/home/17-shqip/lajmet-e-fundit/7000-vlore-policia-kufitare-kap-nje-peshkarexhe-italiane-qe-kishte-hyre-ne-menyre-te-paligjshme-ne-ujerat-shqiptare). Por nga verifikimet që bëri pak më vonë bashkëpunëtori i “Dyrrah”-ut, njëkohësisht zëdhënës në Forcën Detare, një nga intelektualët e njohur të flotës ushtarake, Shefqet Kërcelli, doli se anijen italiane të peshkimit e ndaloi dhe e shoqëroi deri në Vlorë një anije patrulluese e Forcës Detare dhe jo shërbimet e policisë kufitare e migracionit. Ja kronologjia e ngjarjes

DIKTIMI DHE PATRULLIMI

Siç informon oficeri i drejtimit i Forcës Detare në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) kapiten i rangut III Urim Bulica, më datën 10 mars, ora 19.30, një nga operatorët diktoi një peshkatore italiane me emrin “COBRA III”, e cila lundronte brenda ujërave territoriale shqiptare në traversë të Karavastasë. Ndërkohë anija e Flotiljes Detare Jugore, P-132 “Oriku”, po patrullonte sipas planit në zonën e Bristanit për në jug, drejt Palermos. Nisur nga situata e krijuar, iu dha urdhër “Oriku”-t të ndryshonte zonën e patrullimit dhe të merrte kursin për në veri të Karavastasë, për të verifikuar peshkatoren e dyshuar në këtë zonë.

KOORDINATAT

Në orën 21.05, peshkatorja italiane ndodhej në Φ-40o54’91”V dhe λ-19o11’43”L, rreth 2.8 milje brenda ujërave territoriale shqiptare, duke lundruar me shpejtësi 2.5-2.8 nyja. Ndërkohë nga veriperëndimi i Sazanit “Oriku” lundroi për në veri, në rajonin e dhënë. Për këtë situatë u njoftua komandanti i Forcës Detare, QBO-ja (Qendra e Bashkuar Operacionale), oficerët e policisë kufitare e migrimit, përfaqësues të peshkimit e doganës, që ndodheshin në sallën e QNOD-it.

IDENTIFIKIMI

Në orën 22.10, patrulluesja P-132 shkoi në rajon dhe uli skafin e saj, dhe në koordinatat, Φ-40o53’08” V dhe λ -19o10’17”L verifikoi peshkatoren italiane me emrin në bord “Cobra III”, e cila kryente gjueti me trata fundore brenda ujërave shqiptare. Peshkatorja kishte në përbërje të ekuipazhit 4 persona me kapiten Pjietro Di Lorenzo dhe port regjistrimi Mona Bari, Itali. Mbas pyetjeve të drejtuara nga Roja Bregdetare, kapiteni i anijes italiane pretendonte se “kishin shkelur ujërat tona pa dashje, pasi po merreshin me aktivitetin e gjuetisë dhe nuk e kishin venë re këtë gjë”. Për këtë shkelje, të ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë brenda ujërave tona territoriale, peshkatorja u ndalua dhe u urdhërua që të drejtohej për në portin e Vlorës.

Peshkatorja iu bind urdhrit të komandantit të anijes “Oriku” kapiten i rangut III Ilir Çobo dhe nën shoqërimin e anijes shqiptare dhe gomones së saj u drejtua për në portin e Vlorës. Për këtë u njoftua përsëri komandanti i Forcës Detare gjeneral brigade Qemal Shkurti, që e ndoqi “non stop” operacionin si dhe shërbimi në QBO, policia kufitare dhe migrimit, oficerët e shërbimit doganor dhe peshkimit  të dërgonin përfaqësuesit e tyre në Vlorë për vazhdimin e procedurave të mëtejshme.

BREGËZIMI NË PORTIN E VLORËS

Në orën 2.05 pas mesit të natës, më 11 mars 2015, peshkatorja “Cobra 3” dhe anija P-132 “Oriku”, u bregëzuan në portin e Vlorës.

DORËZIMI

Në orën 3.20, komandanti i anijes P-132, plotësoi dokumentacionin përkatës që mbahet në këto raste dhe ua dorëzoi peshkatoren policisë kufitare dhe migracionit, kapitanerisë Vlorë. Më pas “Oriku” u largua nga porti i Vlorës për të vazhduar detyrat e radhës. Aktualisht autoritetet shtetërore në Vlorë po mbajnë procesverbalet përkatëse mbështetur në legjislacionin shqiptar për këtë ngjarje.

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Mirësjellje e Shefqet Kërcelllit/