11 Mars 2015 – U deshën më pak se 24 orë nga deklarata e deputetit Tom Doshi se një person tjetër ishte futur nga babai i Ilir Metës për ta vrarë, që LSI të kundërsulmonte. Petrit Vasili, kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, bëri të ditur publikisht fakte të reja kundër Doshit.
Në një deklaratë për mediat, Vasili paraqiti një dokument për të treguar se vetë Doshi kishte njohje me personin e "porositur për ta vrarë". “Deputeti Tom Doshi ka njohje me gruan e Petrit Çinarit, Alma Çinari, së cilës i ka dhuruar një apartament 80 metra katrorë në gusht të vitit 2014, fiks 3 javë para atentatit që pretendon Doshi. Unë po zbuloj një fakt të rëndë por është një nga të shumtët që e thellojnë skandalin”, u shpreh Vasili.
Më herët, personi tjetër që sipas Doshit u pagua 500 mijë euro për ta vrarë, Durim Bani nga Fushë-Kruja ndryshoi dëshminë. Bani deklaroi se Doshi e kishte përgatitur për të dhënë një dëshmi që implikoi shumë personazhe të jetës politike dhe biznesit në vend.
Nga ana e saj, prokuroria pohon se shumë shpejt do të zbardhet e vërteta e kësaj historie.





