Shpronësimi do të fillojë më 31 janar 2015. Pronarët, për të cilët është bërë shënimi “sipas kartelës së pasurisë”, kompensohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës

DURRËS, 29 janar 2015 –  Më në fund do të mbyllet odiseja për zbatimin e projektit të rehabilitimit të amfiteatrit të Durrësit. Jepen 21 660 027 lekë (rreth 157 mijë euro) për pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, duke u kompensuar në vlerë të plotë për pasurinë truall dhe ndërtim, kështu u vendos në mbledhjen e fundit të qeverisë shqiptare.

Shpronësimi në favor të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës. Vlera e përgjithshme e shpronësimit nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Kulturës. Shpronësimi do të fillojë më 31 janar 2015. Pronarët, për të cilët është bërë shënimi “sipas kartelës së pasurisë”, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës.

Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, brenda 30 ditëve, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, do të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës dhe do të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”