29 janar 2015 –  Dora e ngritur lart dhe emri i tij që bucet në sallën e boksit në Torun të Polonisë. Kjo është dëshira e Nuri Seferit për ndeshjen e së shtunës me polakun Glowacki, ku boksieri shqiptar do të përpiqet të "mbërthejë" fortë shansin për një duel botëror ndaj gjermani Huk në peshën Cruiser. Ai ka zhvilluar seancat e fundit stërvitore në prag të sfidës me kundërshtarin e tij dhe në një prononcim për Sport News ka deklaruar se gjithçka po ecën më së miri duke shpjeguar madje dhe përgatitjet e fundit të tij për ndeshjen. "Jam në përgatitjet e fundit për këtë përballje dhe ndihem gati për këtë sfidë shumë të rëndësishme për mua. Ditët e fundit janë më shumë një stërvitje e lehtë, pa shumë ngarkesë fizike. Puna përqëndrohet kryesisht në ruajtjen e peshës për përballjen në ring, pasi pjesa tjetër e stërvitjes, ajo përgatitore për sfidën, mbyllet përgjithësisht një javë përpara duelit", është shprehur boksieri shqiptar.

Të mërkurën, kampioni shqiptar pati dhe ballafaqimin sy më sy me kundërshtarin e tij, që përbën deri diku dhe një betejë psikologjike mes tyre. Por Seferi megjithatë duket se ja njeh mirë pikat e dobëta Glowackit. "Arma e tij më e fortë është fakti që bokson në krahun e kundërt, pra është mëngjarash dhe gjithashtu lëviz shumë në ring. Megjithatë unë e kam studiuar mirë dhe besoj se do të dijë si ta përballojë në ring", shton Seferi. Faktin që ndeshja do të zhvillohet në Poloni, Seferi nuk e shikon aspak si një minus, pasi në mbështetje të tij do të jenë shumë shqiptarë, që do t'i ngrohin zemrën e do t'i japin forcë për këtë ndeshje siç pranon dhe vetë Seferi, që nuk nguron të premtojë dhe humbjen e parë të Glowackit në ring.

"Për mua është shumë domethënës fakti që do të kem pranë tifozët shqiptarë. Do të ketë një prani të madhe të tyre në sallë dhe kjo do të më bëjë të ndihem si në shtëpi. Gjithashtu ka dhe shumë tifozë të huaj që do të vijnë posaçërisht për të më përkrahur mua mbi ring. Unë do të bëj maksimumin për të mos i zhgënjyer tifozët e mi dhe premtoj që do të arrij t'i shkaktoj humbjen e parë kundërshtarit Tim Glowacki, që në 23 ndeshje është ende i pathyer", ka përfunduar Seferi. Takimi mes Seferit e Glowackit zhvillohet të shtunën në orën 19:30.