- Zgjedhja e Alexis Tsipras në krye të qeverisë greke po bën shumë zhurmë, jo vetëm në shtetin helen dhe në të gjithë Bashkimin Europian, por edhe në Shqipëri.
28 janar 2015 – Shumë deputetë, kryeisht të krahut të majtë politik, e pritën me shumë bujë zgjedhjen e tij në krye të qeverisë së Athinës, me idenë se ardhja e një partie të majtë radikale do ti japë fund shumë problemeve që kanë prekur shtetin fqinj.
Një prej tyre është edhe deputeti socialist, Erion Braçe, i cili shkruante të dielën në Facebook: “nuk është aksident, por fundi i dinastive familjare të së majtës së kamur; përtej të tjerave!! Si për ironi të fatit, Andrea Papandreu ishte një antifashist i madh!”
Por nëse Braçe dhe shumë politikanë të tjerë do të dinin se çfarë ka thënë Tspiras në vizitën e tij në Beograd (5.12.2014) për Kosovën dhe shqiptarët a do të mbanin të njëjtin qëndrim?
“Është e nevojshme të gjejmë një zgjedhje të pranueshme për të dyja palët. Ne besojmë se njohja e Pavarësisë së Kosovës nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin e rajonit. Bashkimi Europian duhet të merret me rritjen e shovinizmit nacionalist në Ballkan. Shovinizmi nacionalist po rritet dita- ditës në Maqedoni, ku disa po i bëjnë rezistencë zgjidhjes së çështjes së emrit. Shovinizmi po rritet edhe në Shqipëri, ku vihet re rritja e urrejtjes për kombet që i rrethojnë”, ka thënë ndër të tjera Tspiras gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd.





