26 janar 2015 – Sepp Blatter do të kandidojë për mandatin e pestë në krye të FIFA gjatë zgjedhjeve të muajit Maj ku do të ketë përballë Jerome Champagne, Princin e Jordanisë, Ali Bin Hussein dhe ish sulmuesin e Tottenham, David Ginola. Në një intervistë dhënë për CNN, 78-vjeçari thekson se vendosi për rikandidimin pas bisedave që ka zhvilluar me disa federata. Gjithsesi, në këndvështrimin e Blatter, të gjitha kandidaturat që do të vendosen përballë tij, kanë një mbështetje të veçantë nga UEFA. "E gjithë opozita kundër meje mbështetet nga zyrat me qendër në Nyon. Kjo është e vërteta edhe pse ndoshta e papritur. Ata nuk kanë kurajë të më dalin përballë". Presidenti i UEFA-s, Michel Platini nuk pranoi të hidhte kandidaturën e tij dhe sipas Blatter është ai që po mbështet kandidatët e tjerë. Gjithsesi, numri 1 i FIFA-s bën thirrje që UEFA të ulë ritmin e sulmeve ndaj tij.
"Futbolli është një sport që luhet në grup prandaj le të luajmë si një skuadër e bashkuar. E ftoj UEFA-n dhe në veçanti drejtuesit e saj që të heqin dorë nga sulmet dhe të shijojnë lojën e futbollit që ka mesazh unitetin". I pyetur nëse është nervoz në prag të fushatës ku do të kërkojë një tjetër mandat, Blatter u përgjigj qartë. "Jo, absolutisht jo. Është e pamundur t'i lumturosh të gjithë. Mua më pëlqejnë kritikat dhe i pres ngado që vijnë, por gjithçka duhet të përfundojë te kritika. Kur të tërhiqem do të punoj në radio, përherë e kam thënë këtë. Radio është më popullore se televizioni dhe do të më pëlqente shumë të punoja si reporter në radio".





