26 janar 2015 –  FIFA nis hetimin ndaj Realit të Madridit për të verifikuar nëse ka respektuar artikullin 19 të rregullores për transferimin e lojtarëve nën moshën 18 vjeç. Lajmin e bën të ditur gazeta "AS" që konfirmon se organi më i lartë drejtues i futbollit botëror ka kërkuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm nga Federata Spanjolle e Futbollit. Në një letër dërguar nga zyrtari i FIFA-s, Kimberly Morris, federatës i kërkohet që të dërgojë në Zyrih të gjitha kontratat e transferimit të lojtarëve drejt Madridit.

Gjatë kohëve të fundit, klubi mbretëror ka zhvilluar një punë intensive për afrimin e disa të rinjve si  Peeters, Asensio, Odegaard dhe Lucas Silva, por në klubin merengues drejtuesit janë shprehur disa herë në në transferimet e kryera nuk ka asgjë të jashtëligjshme. Për shkak të shkeljes së rregullores, ishte Barcelona që e pësoi disa muaj më parë, duke u ndëshkuar me bllokimin e merkatos për skuadrën blaugrana deri në 1 Janarin e vitit të ardhshëm.

Këtu fillon edhe beteja në distancë mes Barcelonës dhe Realit, pasi drejtuesit e klubit kryeqytetas pretendojnë se janë kolegët e tyre në Katalonjë që i kërkuan FIFA-s nisjen e një hetimi. Aktualisht, çështja po hetohet në Zyrih dhe Reali i Madridit nga ana e tij duhet të dorëzojë gjithë informacionin që ka për transferimin e lojtarëve të rinj, në të kundërt klubi mund të përballet me sanksione nga ana e Komisionit të Disiplinës në FIFA.