25 janar 2015 – Një incident i paprecedentë, deri në kufijtë e një skandali të vërtetë, është konsumuar dje para “Shtëpisë me Gjethe”. Ashtu siç kishte paralajmëruar, kryeministri Edi Rama ka prezantuar dje shtëpinë më misterioze dhe të paprekshme në Shqipëri, e konsideruar ndryshe si Shtëpia kryesore e Përgjimeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Para shtëpisë së famshme ishin mbledhur ambasadorë, ministra, botues, personalitete të kulturës, gazetarë etj.
Të gjithë prisnin me një farë padurimi, që të mbaronte fjala e kryeministrit, për të vizituar ambientet e brendshme. Sapo Rama mbaroi fjalën, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, i ftoi të pranishmit të vizitonin ekspozitën dhe për të pirë më tej nga një gotë, siç tha ajo, sa për të mbytur mykun e shtëpisë. Por çfarë ndodh? Në momentin kur ambasadorët u drejtuan nga dera e shtëpisë, këshilltarët e Ramës dhe drejtuesit e Ministrisë së Kulturës mbyllën dyert, duke mos lejuar askënd të hyjë brenda. Ambasadorët u befasuan fillimisht dhe më pas kërkuan Ramën me sy, për t’i kërkuar shpjegim. Të gjithë të pranishmit u larguan, por ambasadori gjerman, Helmut Hoffman, bëri rezistencë. Është dashur më pas ndërhyrja e këshilltarit të kryeministrit, Sandër Lleshi, i cili i mundësoi ambasadorit hyrjen në godinë. Ndërkaq, edhe ambasadorja e BE, Romana Vllahutin, bëri rezistencë, por nuk u lejua kurrsesi që të hyjë brenda. Drejtuesit e Ministrisë së Kulturës, pohuan se ambientet e brendshme të Shtëpisë së Gjetheve, për momentin nuk mund të vizitohen, pasi ajo është pothuajse e degraduar. Pas këtyre shpjegimeve, shumëkush pyeti veten se pse ishin ftuar në ceremoni.
Paralajmërimi
Teksa ka sjellë detaje rreth misterit që ngërthente këtë shtëpi, Rama ka paralajmëruar se do të zbulojë tunelet e nëndheshme të Tiranës dhe të gjitha labirintet e Enver Hoxhës. “Ky muze është i dyti në zinxhirin e një projekti që do të vazhdojë me nëndheun, pasi kryeqyteti ka infrastrukturë ende të pazbuluar dhe ne do ta zbulojmë për publikun, të tuneleve të nëndheshme që ishin pjesë e infrastrukturës sekrete të regjimit të shkuar. E në fund, projekti do të finalizohet si një muze i vrimave”, deklaroi Rama. Kryeministri u shpreh se do të shpallen të tjera projekte muze, që i përkasin regjimit të errët komunist. “Muzeu i vrimave të të shkuarës, që janë vrimat përmes të cilave mund të penetrohet në infrastrukturën fizike, por edhe në infrastrukturën psikologjike të vetëdijes sonë dhe në të njëjtën kohë që do të përbëjnë një hartë të mirëfilltë muzeale, duke nisur nga qendra e Tiranës, duke vazhduar në zona të caktuara nën dheun e Tiranës, për të prekur pastaj, pikën tjetër të pallatit antiatomik të regjimit dhe për t’u shtrirë në formën e një rrjete merimange, siç ishte në fakt, gjithë rrjeta e ndërtuar e strukturës së sekretit në Shqipëri”, tha Rama. Ai theksoi se të rinjtë e sotëm, nëpërmjet çeljes së shtëpive muze të diktaturës, do të njihen me të kaluarën komuniste. “Gjeneratat e reja mund të njihen me infrastrukturën jo vetëm fizike, por edhe psikologjike të së shkuarës dhe njëkohësisht ku vizitorët, miqtë, njerëzit e interesuar për të njohur se nga vijmë, mund të shohin dhe të prekin nga afër atë që ka qenë një nga pamjet më të errëta, më të mistershme dhe më të çuditshme të regjimit komunist”, u shpreh Rama.
Shtëpia e Përgjimeve
Kryeministri Edi Rama ka hequr një paralele mes godinës muze të ish-Sigurimit të Shtetit dhe Gjermanisë Lindore gjatë viteve të fundit të rënies së Murit të Berlinit.
“Kjo godinë është një dëshmi shqiptare e filmit të famshëm që i kushtohet shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore, “Jeta e të tjerëve”, film që ka bërë një bujë të madhe, që përtej faktit që është një film i jashtëzakonshëm nga pikëpamja artistike, është një film rrëqethës, sepse tregon për jetën reale të Gjermanisë Lindore në vitet e rënda të ndarjes nga Muri i Berlinit”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se ne po bëjmë sot, atë që Gjermania e bëri menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit.
“Mua më pëlqen ta sjell këtu këtë shembull, sepse sot, ne po bëjmë as më shumë e as më pak, modestisht me çfarë kemi trashëguar në këtë pjesë të errët të trashëgimisë sonë, atë që Gjermania e ka bërë qysh në krye të herës, menjëherë pas shembjes së Murit”, tha Rama.
Bashkimi i dy Gjermanive
Ai vë në dukje se shembja e këtij Muri, solli bashkimin e dy Gjermanive.
“Një proces ballafaqimi të hapur, të drejtpërdrejt dhe pa frikë me të shkuarën e vet, edhe pse ishte një e shkuar që i përkiste në mish e në shpirt, gjysmës së Gjermanisë, por që për gjysmën tjetër, për pjesën që u bë zemra e bashkimit, Gjermaninë Perëndimore, kishte një rëndësi të veçantë, as më shumë e as më pak, por për arsyen që në platformën shpirtërore të bashkimit të mos lihej asnjë e çarë, asnjë e krisur dhe as një vragë, që mund të bëhej shkak i infeksionit të të gjithë organizmit të shoqërisë së re gjermane, për shkak të mosballafaqimit me të shkuarën e gjysmës së trupit të vet, për shkak të mosdizinfektimit të asaj gjysme që iu bashkua gjysmës tjetër në emër të së ardhmes, por që vinte në këtë bashkim me një sekret të së shkuarës në trupin e vet”, tha Rama.
/gazeta "Sot"/





