·        U kishte marrë nga 500 euro për kokë 

·        Po hetohet për ekzistencën e një linje trafiku të klandestinëve Athinë-Durrës / Tiranë-Shkodër-Mali i Zi

DURRËS, 25 janar 2015 –  Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës-Krujë njofton se mbrëmjen e së shtunës, më 24 janar 2015, rreth orës 23:30, sektori për trafiqet arrestoi 48-vjeçarin Agron Karanxha, banues në Tiranë. Blutë thonë se Karanxha ishte shofer autobusi në linjën ndërkombëtare Athinë-Tiranë. 48-vjeçari ka transportuar dy klandestinë sirianë nga Athina në Shqipëri, duke i fshehur brenda mjetit, duke u prerë “bileta” 500 euro për kokë. Forcat e zbatimit të ligjit konfirmojnë se i arrestuari ka mundur t’ia hedhë kontrollit të pikës së kalimit kufitar të Kakavijës (Gjirokastër).

Drejtoria e policisë së qarkut bregdetar bën të ditur se po hetohet për ekzistencën e një linje trafiku të klandestinëve Athinë-Durrës / Tiranë-Shkodër-Mali i Zi.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/