·        Manifestime në prag të zgjedhjeve vendore / Shtohen edhe dy emra si kandidatë potencialë për superbashkinë: Armand Teliti dhe Arqile Gorea

DURRËS, 25 janar 2015–  Dega e PD-së në qytetin bregdetar njofton se ditën e parë të javës, të hënën, më 26 janar 2015, ora 11:00 paradite, do të organizojë një protestë kundër rritjes së çmimeve, duke iu bashkuar kështu urdhrit së selisë qendrore të partisë më të madhe të opozitës, që kërkon uljen e çmimit të karburantit sipas prirjes në bursat ndërkombëtare të naftës. Mësohet se në krye të protestës, e cila është parashikuar të zhvillohet në rrugën mes rrethrrotullimit të Shkozetit dhe mbikalimit të autostradës Durrës-Tiranë, do të jetë nr. 1 selisë vendore Osman Stafa, që do të bëjë dhe një deklaratë shtypi. Do të fiken për 5 minuta makinat.

PD-ja kërkon të ulen çmimet e larta, që u vendosën prej saj kur ishte në pushtet, për shkak edhe të taksës për ngjyrosjen e karburantit nga një firmë monopol afër bluve. Zona e zgjedhur e ish-kënetës mendohet si bastion i opozitës. Kjo e fundit është mbështetur në demonstrimet kundër aksionit për energjinë elektrike, të zhvilluara në sfond të vilave dy-e-tre-katesh, për shkak të nivelit të lartë të emigracionit. Ish-këneta është shquar për nivelin e lartë të humbjeve në rrjet dhe të mospagesës së faturave të dritave.

ANALIZË                                      

Opozita do të shfrytëzojë pakënaqësinë për masat antipopullore të  qeverisë, për më tepër që pas 5 muajsh do të zhvillohen edhe zgjedhjet por pushtetin vendor. Tani bashkia e Durrësit, pas reformës territoriale, shtrihet dhe në komunat e Rrashbullit, Katundi të Ri, Ishmit dhe bashkinë e Sukthit. Kuptohet pse PD-së i duhet fitorja me çdo kusht pas 4 garash të humbura.

Kjo gjë ka rritur dhe ethet për zgjedhjen e kandidaturave të djathta. Flitet për emrin e deputetit republikan Agron Duka, bashkëpronar i një firme prodhimit vezësh me çmim 19 lekë kokrra, kur në Shkodër shitet 3-4 lekë më pak. Por nuk përjashtohet të nominohen nga forumet e degës edhe disa figura të tjera, sikurse janë kryetari i degës Osman Stafa, rivali i tij në garë brenda partisë, Ardian Muka. Një befasi është edhe Armand Teliti që sfidoi kryebashkiakun aktual Vangjush Dako në një mbledhje të “parlamentit” të qytetit, duke u “vetënominuar” për herë të dytë pas disfatës së parë. Po kështu, edhe Arqile Gorea, ish-kryetar bashkie në vitet 1996-2000, po teston strukturat e partisë dhe shtresa të elektoratit të djathtë apo “gri”.

Ndërkaq, sipas të përditshmes “Shqip” të 25 janarit 2015, në zgjedhjet e qershorit 2015 “Durrësi, një tjetër bashki e madhe, rezulton të fitohet nga e majta me 5 859 vota diferencë. Sipas të dhënave, blloku i djathtë, mbi bazën e votave të 2013-s, ka 47 164 vota, ndërsa e ai i majtë, ka 53 023 vota”.

Gjithsesi, këto janë parashikime mbi diçka të kaluar, pasi ka dhe një dinamikë. PD-ja shpreson të sheshojë diferencën prej rreth 6 mijë votash.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/